Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 12:22

Tetovë – Nobelisti shqiptar, prof. dr. Ferid Muradi do të shpallet Qytetar Nderi i Tetovës. Përmes një ceremonie zyrtare, komuna e Tetovës të shtunën ka organizuar një ngjarje madhështore për nder të nobelistit shqiptar, i cili po qëndron në vendlindjen e tij, në Gostivar.

“Duke vlerësuar se nobelisti shqiptar, Ferid Murati është krenaria jonë dhe duke e njohur kontributin e tij në sferën e mjekësisë, me propozim të kryetarit të komunës, prof. dr. Sadi Bexheti, Këshilli Komunal i Tetovës njëzëri votoi propozim-vendimin për dhënie të titullit “Qytetar Nderi” i Tetovës profesorit të njohur shqiptar, për kontributin e jashtëzakonshëm dhe tepër të çmuar në fushën e mjekësisë”, ka thënë zëdhënësi i komunës së Tetovës, Flakran Pustina. Sipas tij, manifestimi i së shtunës në Qendrën e kulturës në Tetovë, do të shoqërohet me program dokumentar për jetën dhe të arriturat e Prof. Dr. Ferid Muratit, ndërkaq me këtë rast kori dhe orkestra e qytetit të Tetovës do të performojnë me program të pasur artistik.