Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 18:01

Tetovë – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti dhe Sekretari i përgjithshëm i BDI-së dhe Shef i shtabit zgjedhor Abdilaqim Ademi kanë realizuar të mërkurën takim me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Maqedoni, Peter Sorensen. Temë e këtij takimi kanë qenë zgjedhjet e 5 qershorit dhe prioritetet e Maqedonisë pas përfundimit të procesit zgjedhor.

“Fillimisht të dy bashkëbiseduesit vlerësuan lart procesin zgjedhor, duke pohuar se zgjedhjet i plotësuan standardet ndërkombëtare dhe kaluan në një atmosferë demokratike. Në këtë rast, ambasadori Sorensen vlerësoi lart rolin e kryetarit Ahmeti dhe BDI-së si pjesë e qeverisë për angazhimin e bërë që zgjedhjet të mbahen sipas standardeve ndërkombëtare. Kryetari Ahmeti theksoi se angazhimi dhe prioritet i Qeverisë së re duhet të jetë anëtarësimi i vendit në strukturat euro-atlantike, zgjidhja e çështjes së emrit, zhvillimi ekonomikë që do të ndikojë në zvogëlimin e papunësisë dhe rritjen e standardit të qytetarëve të vendit”, qëndron në komunikatën e BDI-së. Madje, kryetari i BDI-së ka theksuar se subjekti që drejton ai do të angazhohet edhe në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, sepse siç ka shtuar, “është një dokument, i cili vendosi bazat e një shteti shumë etnik dhe hapi rrugën drejt anëtarësimit në familjen e madhe evropiane”.