Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 15:57

Tetovë – Në Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT) për vizitë zyrtare ka qëndruar dr. Heinz Bongartz, përfaqësues i lartë i Fondacionit gjerman “Fridrich Ebert” për Maqedoninë. Me këtë rast, Bongartz ka realizuar takim pune me rektorin e USHT-së Agron Reka, i cili e ka njoftuar mysafirin me zhvillimet më të reja në Universitet, për kushtet hapësinore në të cilat funksionon USHT, strukturën kadrovike, numrin e fakulteteve, numrin e studentëve që vijojnë studimet dhe bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar.

“Në këtë takim u bisedua edhe për mundësinë e bashkëpunimit mes USHT-së dhe Fondacionit Friedrih Ebert ku theks i veçantë iu kushtua organizimit të konferencave të përbashkëta, sigurimin e literaturës universitare të nevojshme për studentët, pajisjen e fakulteteve me laboratorë shkencorë dhe për punën praktike të studentëve. Heinz Bongartz vlerësoi lartë të arriturat e USHT dhe u zotua se do të angazhohet për afirmimin e USHT-së në vendet gjermanofone dhe do të lobojë në mënyrë të vazhdueshme që Universiteti Shtetëror i Tetovës të bëhet një nga Universitetet lider në rajon dhe me gjerë”, qëndron në komunikatën e USHT-së.