Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 15:43

Tiranë – Një ditë pasi publikoi një letër kërcënuese për Kolegjin Zgjedhor dhe të ardhmen e Shqipërisë, nëse nuk do të ketë një vendim që i jep atij fitoren në Tiranë, Edi Rama, kryetar i PS-së, është rikthyer para mediave duke deklaruar se forca e tij politike do të ndjekë deri në fund rrugën ligjore.

Ai e ka cilësuar sërish vendimin e Kolegjit zgjedhor për rrëzimin e ankimit të opozitës si të padrejtë ndërsa theksoi se një vendim i tillë do ta thellojë edhe më tej krizën politike në vend.

Sërish Rama ka paralajmëruar se këtë herë kriza do të jetë më e thellë pasi sipas tij vjedhja e votës është bërë hapur dhe në sy të të gjithë shqiptarëve. Rama akuzoi Kolegjin se nuk ka zbardhur akoma vendimin e së premtes duke shkelur kështu afatat ligjore ndërsa e kë cilësuar këtë vendim si të padrejtë mbi kërkesën legjitime të Partisë Socialiste.

“Vendimi i Kolegjit zgjedhor ishte i padrejtë, ishte një padrejtësi e hapur dhe flagrante për kërkesën e opozitës. Kolegji rrëzoi kërkesën legjitime të opozitës kur dy vjet më parë praktikisht i hapi rrugën krizës 2-vjeçare institucionale, politike me të gjitha pasojat që dihet nga të gjithë ashtu siç njihet edhe kostoja e këtyre pasojave që erdhën si përmbajtje e shpërdorimit të pushtetit të vjedhur nga Saliu”, theksoi Rama.

Por, në fund të deklaratës së tij, Rama ka theksuar se Partia Socialiste do të vijojë betejën e saj ligjore, por nënvizoi se do të kërkojë me forcë që drejtësia të japë drejtësi pasi, ka shtuar ai, “tani më sfida e hapur ka mbërritur në një moment kulmor kur do të duhet të ndodhë ballafaqimi me pruduktin e saj që ndodhi në tavolinën e KQZ-së. Gjurmët e barbarisë nuk janë vetëm në shkeljet e kushtetutës por edhe në vetë aritmetikën e rezultatit të rremë që ka prodhur KQZ-ja”.