Lajme Shqip Thursday, 04 April 2013 12:52

TIRANË - Kuvendi miratoi sot ministrat e rinj të kabinetit qeveritar, në vendet e mbetura bosh, pas tërheqjes së Lëvizjes Socialiste për Integrim(LSI), nga koalicioni qeverisës.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekretoi mbrëmë, pak para mesnate, ministrat e rinj, të emëruar më herët nga kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit, pasditen e djeshme, pas largimit të LSI-së nga qeveria, ku mbante tre poste të rëndësishme, emëroi ministrat e rinj, që do të votohen sot në parlament.

Kështu në postin e ministrit të Jashtëm, në vend të Edmond Panariti është emëruar Aldo Bumci, i cili lë kështu ministrinë e Kulturës, ku zëvendësohet nga Visar Zhiti, një shkrimtar i njohur.

Në ministrinë e Ekonomisë, në vend të Edmond Haxhinasto shkon Florion Mima, aktualisht deputet i Partisë Demokratike, ish-zv/ministër i Financave. Ndërsa në ministrinë e Shëndetësisë u emërua mjeku i njohur Halim Kosova, aktualisht drejtor i spitalit gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë. Ndërsa posti i zv/kryeministrit do të mbahet nga ministri aktual i Arsimit, Myqerem Tafaj. 

NDËRPRITET PËR DISA MINUTA SEANCA PLENARE, PAS KËRKESËS SË GRUPIT TË PD-së
Ora 12: 07
Kuvendi ka ndërprerë për disa minuta punimet e seancës së sotme plenare, pak çaste para nisjes së procesit të votimit të çështjeve të parashikuara në rendin e ditës. 

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, i kërkoi kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, që të ndërpresë seancën për një pushim pesë minutësh. Kjo e fundit, duke iu referuar axhendës parlamentare, kërkoi sërish të hedhë në votim tre ligjet e integrimit, që presin të votohen që nga muaji tetor i vitit të kaluar. 

Seanca e sotme është parashikuar me shumë interes, pas zhvillimeve të vrullshme politike të ditëve të fundit, ku Lëvizja Socialiste për Integrim u largua nga koalicioni qeverisës, për t’u bashkuar në një aleance paraelektorale me Partinë Socialiste të opozitës.

DISKUTOHET LIGJI I RI ‘PËR DEKORATAT DHE MEDALJET’