|
|
e Mërkurë, 21 Mars 2012 15:00 Tiranë- Kryeministri Berisha i cilësoi qesharake kundërshtimet e opozitës në lidhje me ndryshimet në ligjin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë.
“Protesta e Partisë Socialiste se me këto ndryshime përfitojnë bashkëpunëtorët e okupacionit, është pa baza. Dua t’u them këtyre zotërinjve se lufta çlirimtare është një trashëgimi e popullit shqiptar. Përpjekja për të pronësuar luftën anti-fashiste çlirimtare është qesharake, veçanërisht nga ata të cilët vazhduan të jenë si vazhdimësi juridike e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe s`kanë kërkuar të falur për ato që kanë ndodhur për 45 vite”, theksoi Berisha.
Shqiptarët fitimtarë, vijoi Berisha, u kthyen në të humbur nga një diktaturë e një individi që është quajtur “Hitleri i pasluftës”.
Ai siguroi se asnjë ligj nuk ka shkuar dhe nuk do të shkojë në këtë drejtim. “Ata që e përdorin këtë çështje dhe e mendojnë se do të kenë përfitime politike janë të pabesueshëm. Të vetmin dëmshpërblim që ata bënë, ia dhanë nomenklaturës. Ndaj vijoi ai, dhe këto vendime i hapin rrugë një procesi që nuk do ketë të ndërprerë deri ditën e shlyerjes të të gjtiha detyrimve ndaj tyre.
Berisha informoi se sot do të miratohet vendimi për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë. “Me këto vendime bëhet e mundur filimi i disbursimit të transhit të dytë, që pritet me të drejtë nga ish të burgosurit dhe të përndjekurit politikë të vendit. Disa kategori të tjera janë shtuar, me të drejtë”, theksoi kryeministri.
Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi të martën një ndryshim në ligjin “për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë”. Sipas këtij ndryshimi, brenda këtij viti mosha e ish-të përndjekurve që do të përfitojnë dëmshpërblim do jetë 75 vjeç për burrat dhe 70 vjeç për gratë, në ndryshim nga propozimi i qeverisë që parashikonte moshën 85 vjeç. (LajmeShqip.com)