Lajme Shqip Tuesday, 21 June 2011 15:12

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi të martën pas mesdite, numërimin e votave të kontestuara në njësinë bashkiake nr. 6, të KZAZ-së numër 50, në Tiranë.

Në këtë njësi, pas hapjes së rreth 160 kutive rezultuan 20 vota për kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha dhe 27 vota për rivalin e tij, kandidatin e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama. Me këtë rezultat, Basha vazhdon të kryesojë ndaj Ramës me 74 vota.

KQZ filloi të shtunën procesin e hapjes së kutive dhe numërimit të fletëve të kontestuara në 368 qendrat e votimit të Bashkisë Tiranë.

Numërimi bëhet nga 8 grupe njëkohësisht, në të cilat bëjnë pjesë dy punonjës të administratës së KQZ-së dhe nga një përfaqësues i dy forcave politike, PD-së dhe PS-së.

Ky proces do të rifillojë pasdite (ora 17:00) me hapjen e kutive të KZAZ-së nr. 51, njësia 7.