Lajme Shqip Wednesday, 21 October 2015 14:32

25 tetori do të jetë data kur do të inaugurohet segmenti i parë rrugor i autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, që do të lidhë Prishtinën me Shkupin. Javën e kaluar është përfunduar pjesa e autostradës nga Veterniku deri në Lipjan dhe pritet që të dielën të bëhet prerja e shiritit

Zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Hanefi Muharremi, e ka konfirmuar për Express, se të dielën, në ora 12, do të pritet shiriti për inaugurimin e autostradës.

“Të dielën në ora 12:00, me datë 25, do të behët përurimi i pjesës së parë të autostradës”, ka thënë Muharremi.

Në të besohet që do të jetë i pranishëm Kryeministri Isa Mustafa, Ministri I Infrastrukturës Lutfi Zharku, ekipi i Bechtel Enkës e disa mysafirë të tjerë.

Kurse hapja për qarkullimin e qytetarëve do të bëhet më 26 tetor.

Përurimi i kilometrave të para të autostradës që lidh Prishtinën me Shkupin ishte premtuar me 16 tetor, por është shtyrë për shkak të reshjeve të shiut.

Autostrada me rrethrrotullimin do të lidh qytetet kryesore të Kosovës – Prishtinën, Gjilanin, Ferizajn dhe Prizrenin. Punimet e kësaj autostrade pritet të përfundojnë në fund të vitit 2017, ndërsa buxhetit të Kosovës kjo autostradë do t’i kushtojë 600 milionë euro./GazetaExpress/