Lajme Shqip Tuesday, 04 February 2014 15:12

Në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë u mblodh sot Komisioni Ndërinstitucional për bashkërendimin e punës në zbatim të projektit të gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline (TAP).

TAP, Gjiknuri: Do gjenerojë mijëra vende pune

Në fjalën e tij, ministri i energjisë Damian Gjiknurindërsa e cilësoi projektin TAP si mjaft të rëndësishëm për pozitën e Shqipërisë, theksoi se vendi nuk duhet të mjaftohet me kaq por duhet të shfrytëzohen edhe benefitet ekonomike që rrjedhin nga ky projekt.

“Një detyrë e rëndësishme që del dhe që në ditët në vijim duhet të përfundojë dhe unë mendoj që brenda një viti Shqipëria do të ketë edhe masterplanin e saj për gazin. Jemi duke punuar me partner serioz ndërkombëtar,qoftë nga Azerbajxhani qoftë edhe nga institucione të tjera ndërkombëtare në mënyrë që ky proces të kryehet në kohë në mënyrë që Shqipëria të mos e humb shansin e saj dhe vendi të mos mjaftohet me faktin që në vend kalon një gazsjellës që është shumë e rëndësishme nga pikëpamja strategjike që ndikon direkt në sigurinë e Shqipërisë, në rolin që ka Shqipëria në rajon por edhe më gjerë, pasi ky gazësjellës furnizon Europën dhe pozita e Shqipërisë kthehet në një pozitë strategjike por për të marrë edhe benefitet më të mëdha ekonomike sai përket përfitimit të gazit në Shqipëri” tha Gjiknuri.

Ministri theksoi se projekti TAP pritet të gjenerojë mijëra vende të reja pune gjatë kohës që do të ndërtohet.

“Projekti TAP është shumë i rëndësishëm për vendin tonë, pasi ndryshon faqen e Shqipërisë. Puna e Shqipërisë për TAP është shumë e rëndësishme, pas disa vitesh do të kemi burime të reja energjie. Është një investim shumë i rëndësishëm dhe duhet të përgatitemi. Në këtë proces janë shumë ministri që duhet të punojnë si, ajo e Transporteve, e Drejtësisë, e Zhvillimit Urban, Mjedisi etj” tha ministri Gjinuri.

Gazsjellësi TAP do të sjellë gazin natyror nga Azerbajxhani në Evropë. Tubacioni TAP do të kalojë përmes Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë. Kostoja totale e projektit është rreth 2.2 bilionë dollarë./albeu.com/