Lajme Shqip Monday, 10 June 2013 10:35

Prishtinë – Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, e cila po udhëheq ekipin e Kosovës në Bruksel në Zbatimin e Marrëveshjes për Normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, deklaratat e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin, se s’do të ketë shpërbërje të strukturave në veri pa ligjin për amnisti, i ka quajtur deklarata për konsum të brendshëm në Serbi.

“Këto deklarata mendoj se janë për konsum të brendshëm të qytetarëve të Serbisë nga ana e zyrtarëve, nuk ka ndonjë ndërlidhje midis këtyre dy çështjeve, zhbërja e strukturave paralele është obligim në radhë të parë i Serbisë, e cila edhe i ka bërë këto struktura ilegale në Kosovë si një proces i ndërhyrjeve ilegale në punët e brendshme të shtetit të Kosovës. Për sa i takon ligjit për amnisti ai tashmë është në procedurë mirëpo ka të bëjë me qytetarët e Kosovës dhe nuk ka ndonjë lidhshmëri në mes të këtyre dyjave”, ka thënë Tahiri për RTK.

Por sipas Tahirit, individët serbë të cilët do të plotësojnë kriteret dhe procedurat e caktuara nga Kosova do të kenë mundësi të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës.

“Krahas zhbërjes së këtyre strukturave ilegale serbe është edhe procesi i integrimit të individëve serb në institucionet e Republikës së Kosovës përkatësisht në fushën e sigurisë dhe drejtësisë dhe gjatë takimeve ne kemi paraqitur gjithë procedurat dhe kriteret e duhura për rekrutimin e individëve serb që janë të interesuar të bëhen pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës. Këtu kemi hasur në disa kundërshti, pala serbe sikur kërkon integrimin e tyre pa procedura mirëpo kjo nuk është e mundur. Kosova është një shtet demokratik, shtet i sundimit të ligjit dhe i respekton parimet evropiane pra edhe procedurat e rekrutimit duhet të zbatohen”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka ripërsëritur se në shtator të këtij viti do të shuhen përfundimisht strukturat ilegale të drejtësisë dhe sigurisë.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin ka thënë se nuk do të ketë shpërbërje të strukturave paralele të drejtësisë dhe policisë në veri të Kosovës, derisa nuk krijohen parakushtet për këtë gjë, transmetojnë mediat serbe. Sipas tij ndër parakushtet kryesore është ligji për aministinë.