Lajme Shqip Thursday, 29 October 2015 08:50

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka paralajmëruar se Qeveria e Kosovës shumë shpejt do të vendosë masa reciproke ndaj veturave të Serbisë, duke i vendosur në kufi targa provuese këtyre të fundit.

Ndonëse nuk ka dhënë ndonjë datë të saktë se kur do të hyjnë në fuqi masat reciproke, pasi që autoritetet kufitare serbe ka kohë që po i vendosin targa “Proba” automjeteve të Kosovës, Tahiri ka bërë të ditur se i nevojiten vetëm edhe disa konsulta shtesë për këtë çështje me zyrtarët e Bashkimit Evropian.

“Takimi i fundit me BE-në ishte në frymën e përpjekjeve për të lehtësuar lëvizjen e lirë dhe jemi marrë vesh me Bashkimin Evropian që të vazhdojnë konsultat edhe për një kohë të shkurtë dhe në një moment të caktuar do të merret vendimi se në cilin drejtim të shkojmë dhe se është një çështje ditësh kur do të vendosim masat reciproke për automjetet e Serbisë”, ka thënë Tahiri për gazetën Zëri.

Ministrja Tahiri thotë se shtetit serb është duke i munguar vullneti politik dhe strategjik për të normalizuar marrëdhëniet me shtetin e Kosovës. Por, sipas saj, është Bashkimi Evropian ai që është duke vëzhguar me kujdes këtë çështje.

Ajo thotë se janë një varg raportesh ndërkombëtare, të cilat po e kushtëzojnë Serbinë për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet dhe se në të kundërtën ajo do të mbetet e izoluar nga Bashkimi Evropian.

“Ne kemi një kohë që po kërkojmë nga Bashkimi Evropian që Marrëveshja për Lëvizjen e Lirë të realizohet, duke i larguar këto masa sepse marrëveshja është e fokusuar që të vihet në dobi të qytetarëve që të mos ketë pengesa të tilla. Analizat tona thonë se Serbia nuk ka pasur vullnet politik që të respektojë këto marrëveshje në normalizimin e dy shteteve”, ka deklaruar Tahiri. /Zëri/