Lajme Shqip Sunday, 27 September 2015 11:26

Delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, sot udhëton për Bruksel, për të marrë pjesë në raundin e radhës së bisedimeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Fokusi i bisedimeve, sipas një njoftimi nga Zyra për Komunikim Publik -Zyra e Kryeministrit, është vlerësimi i gjendjes në zbatimin e disa prej marrëveshjeve ku janë shënuar ngecje dhe zgjidhjet e mundshme, ndërsa temat kryesore do të jenë liria e lëvizjes, marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare, kthimi i dokumenteve kadastrale dhe funksionimi i zyrave ndërlidhëse, raporton Koha.net.

Në takimin për çështjen e diplomave universitare do të marrë pjesë edhe ministri për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, Arsim Bajrami.

“Në këto takime, Qeveria e Kosovës do të paraqes qëndrimet e saj për problemet e krijuara nga Serbia në zbatimin e marrëveshjeve në fjalë si dhe do të kërkojë përshpejtimin dhe zbatimin e plotë dhe cilësor të këtyre marrëveshjeve duke theksuar rolin e Bashkimit Evropian si mjaft të rëndësishëm për konsolidimin dhe progresin e këtij procesi”, thuhet në këtë njoftim.

Takimet do të mbahen me 28 dhe 29 shtator 2015.