Lajme Shqip Friday, 24 June 2011 12:17

Prishtinë – Lëvizja e lirë, çështja e tregtisë së lirë, çështja e telekomunikacionit, e energjisë, si dhe kthimi i dokumenteve kadastrale dhe civile janë gjashtë çështjet për të cilat Kosova dhe Serbia do të arrijnë marrëveshje gjatë muajit korrik. Në intervistën për “Koha Ditore” zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, që është edhe udhëheqëse e ekipit kosovar të bisedimeve, ka folur në detaje për secilën marrëveshje. Ajo i ka pranuar edhe lëshimet e Kosovës e edhe të Serbisë. Ka thënë se marrëveshjet janë evropiane dhe se ato e afrojnë Kosovën me BE-në.

Sipas Tahirit, Kosova nuk po bën kompromise dhe të dyja palët po mundohen që të përfitojnë sa më shumë.

Qytetarët kosovarë do të mund të udhëtojnë në Serbi, por vetëm me letërnjoftim. Ata nuk do të kenë nevojë që ta tregojnë pasaportën e tyre në shtetin fqinj. Doganat e Kosovës do të mbajnë vulat “Dogana e Kosovës”, dhe dokumentet përcjellëse nuk do ta kenë fjalën Republikë. Qytetarëve serbë të Kosovës do t`u hiqen tabelat e Serbisë, por do t’u mundësohet mbajtja e tabelave KS të kohës së UNMIK-ut. Zëvendëskryeministrja Tahiri ka thënë se ky do të jetë një transicion.

Duke folur rreth marrëveshjeve që pritet të nënshkruhen, Tahiri ka thënë se për gjashtë prej tyre kemi afrim të pikëpamjeve dhe presim rezultate konkrete të marrëveshjeve gjatë muajit korrik. Këto çështje janë çështja e lëvizjes së lirë, çështja e tregtisë së lirë, çështja e telekomunikacionit, e energjisë, si dhe kthimi i dokumenteve kadastrale dhe civile që janë marrë gjatë luftës. Në dialog është hapur edhe çështja e të pagjeturve, çështja e dëmeve të luftës në trashëgiminë kulturore, çështja e njohjes së diplomave universitare, si dhe çështja e pjesëmarrjes në mekanizmat rajonalë. Për sa u takon këtyre gjashtë projektmarrëveshjeve të mundshme, me lejoni t’u them veç e veç se cilat janë parimet e tyre.

Sa i përket lëvizjes së lirë është përdorur parimi i reciprocitetit. Qytetarët e Republikës së Kosovës do të kenë mundësi që të udhëtojnë në Serbi ashtu siç qytetarët e Serbisë kanë udhëtuar lirshëm në Kosovë. Kosova me kohë ka zbatuar parimin e lëvizjes së lirë si parim esencial evropian. Serbia e ka shkelur dhe kjo marrëveshje do ta bëjë edhe atë, ta zbatojë këtë parim. Elementi kryesor për të cilin kemi biseduar është që të mundësohet udhëtimi me letërnjoftim, praktikë që Kosova e zbaton me Maqedoninë dhe Shqipërinë dhe jemi duke punuar edhe për Malin e Zi. Kalimi mund të bëhet edhe nëpërmjet dokumenteve të tjera të udhëtimit. Kemi diskutuar për tabelat e automjeteve, librezave të regjistrimit. Ngjashëm siç veprohet në rastin e Maqedonisë me Greqinë, ngjashëm do të realizohet edhe kjo marrëveshje.