Lajme Shqip Wednesday, 21 October 2015 12:57

Edita Tahiri, ministre për Dialog në Qeverinë e Kosovës, sapo ka konfirmuar se sot në nivelin e Komitetit Politik të ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Evropian është marrë vendimi në mbështetje të MSA-së për Kosovën.

Në një prononcim për gazetën Koha Ditore, ajo ka theksuar se nesër pritet që edhe Këshilli përfundimisht të vendosë për këtë çështje.

“Nënshkrimi është paraparë për javën tjetër dhe diku është përmendur data 27 tetor dhe me këtë rast po rrumbullakohet një proces i rëndësishëm në rrugën e integrimit të Kosovës në BE”, ka thënë ministrja Tahiri.

“Mendoj se kjo arritje e Kosovës është rezultat i dialogut të Brukselit, sepse edhe në vitin 2011, në dhjetor, Këshilli Evropian kishte marrë vendim që Kosovës do t’i ofrohet MSA-ja. Natyrisht ka zgjatur katër vjet”, transmeton koha.net.

“E rëndësishme është që po ofrohemi te ky rezultat dhe që reformat që i kemi bërë në vendin tonë sipas standardeve dhe kërkesave që kërkohen për një shtet që të nënshkruaj MSA, ne si shtet i kemi arritur dhe mendoj se është një sukses i madh për Kosovën në planin dhe vizionin atlantik sepse Kosova si shtet i ri ka vendosur caqet e saja strategjike dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare synimet tona strategjike janë integrimet euroatlantike të shtetit tonë të ri”, ka shtuar ajo.

Kosova i ka përfunduar bisedimet me BE-në për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, në korrik të vitit 2014, që paraqet një hap në rrugën kah anëtarësimi në Bashkimin Evropian, që mund të bartë me vete përfitime ekonomike.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini, dhe Johannes Hahn, komisionar për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe për Negociata për Zgjerim, do të jenë ata që javën e ardhshme do ta nënshkruajnë MSA-në me Kosovën.