Lajme Shqip Tuesday, 21 June 2011 20:38

Prishtinë – Dialogu Kosovë-Serbi kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, tha sot në Prishtinë zv/kryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, udhëheqëse e delegacionit kosovar në dialogun teknik, i cili zhvillohet në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ajo mori pjesë në forumin për dialog “Mbi dialogun”, organizuar nga projekti “Për Marrëdhënie Etnike”, ku pjesëmarrës ishin shqiptarë dhe serbë nga Kosova.

Në këtë forum u diskutua për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Zv/kryeministrja Tahiri, sipas zyrës së shtypit të qeverisë kosovare, foli për efektet e dialogut, duke thënë se me dialog synohet përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe, po ashtu, dialogu kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Ky normalizim i plotë arrihet pas njohjes reciproke të dy shteteve”, ka theksuar zv/kryeministrja Tahiri.

Tahiri ka theksuar se ka përparime substanciale që nga fillimi i këtij dialogu, që ka të bëjnë me çështjet në fushën e lëvizjes së lirë, tregtisë së lirë, energjisë dhe çështjet e telekomunikacionit. Ajo bëri të qartë se “vijat e kuqe, për të cilat nuk do të bisedohet, janë statusi i Kosovës, integriteti territorial i Kosovës, i cili është i pacenueshëm”.

“Po ashtu, rregullimi i brendshëm i Kosovës është çështje e sovranitetit të institucioneve të Kosovës”, ka theksuar zv/kryeministrja, duke shtuar se “bashkëpunimi evropian është shumë i rëndësishëm dhe se për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, Serbia e ka kusht ta njohë pavarësinë e Kosovës”.

“Fryma bashkëpunuese dhe e fqinjësisë së mirë përshpejton integrimet euroatlantike”, ka theksuar zv/kryeministrja Tahiri.

Në këtë forum morën pjesë përfaqësues të Parlamentit, opozitës, si dhe shoqërisë civile në Republikën e Kosovës.

Dialogu teknik Kosovë-Serbi, në Bruksel, ka filluar më 8 mars me takimin e raundit të parë dyditësh, dhe pas raundit të katërt, të zhvilluar në muajin maj, së shpejti pritet edhe raundi i pestë.