Lajme Shqip Sunday, 25 November 2012 15:07

PRISHTINE – Pas vendimit të Gjykatës Supreme për shqiptimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj deputetit Fatmir Limajt dhe tre ish- bashkëluftëtarëve të tij, faqja zyrtare e EULEX-it, http://eulex-kosovo.eu/ është sulmuar nga hakerat.

“Liri për çlirimtarët!!” thuhet në fillim të tekstit të postuar. “Nëse jeni për të na mbrojtur, nëse jeni për të na ndihmuar, nëse jeni për të mirën e vendit tonë, atëherë ju kishim lutur të jeni të tillë. Deri sot asnjë ditë nga ardhja juaj në këtë vend nuk ka qenë e mirë për shtetin tonë, deri sot keni bërë vetëm të këqija në këtë vend, deri sot nuk na keni ndihmuar, deri sot vetëm na keni arrestuar, deri sot vetëm na keni përçarë, deri sot vetëm na keni bërë të ndihemi keq, deri sot jeni munduar të njolloseni luftën e drejt të Ushtrisë sonë çlirimtare-UÇK-së.”- shkruajnë hakerat kosovarë.

Më tej në tekstin e postuar prej tyre nënvizohen edhe kërcënime ndaj EULEX-it.

“Nëse z.Fatmir Limaj dhe të gjithë luftëtarët e lirisë nuk lirohen nga akuzat edhe përfundimisht të jenë të lirë, ne jemi te detyrum të bëjmë publik gjitha marrëveshjet e ndyta që i kemi. Edhe një herë po e ceki, nëse nuk lirohen të gjithë ata që kanë luftuar me plot të drejt për çlirimin e vendit, atëherë do jeni shumë në telashe. Çfarë do publikojmë…Çdo e-mail zyrtar i cila është shkëmbye mes jush dhe shtet serb. Çdo e dhënë personale e secilit anëtar të Inteligjencës së EULEX-it, e din EULEX-i për çfarë po shkruajmë”,- thuhet në tekstin që mban mbishkrimin Kosova Hackers Security.(LajmeShqip.com)