Lajme Shqip Saturday, 20 April 2013 11:41

Strukturat paralele kanë vendosur barrikadë nga zhavori mbrëmë rreth orës 22:00 në rrugën magjistrale Mitrovicë-Leposaviq, përkatësisht tek kthesa për në fshatrat shqiptare të komunës së Leposaviqit, duke bllokuar kështu banorët e këtyre fshatrave, por edhe qarkullimin e automjeteve në drejtim të pikës kufitare Jarinjë, bëjnë të ditur burime të Kosovapress-it.

Sipas këtyre burimeve, barrikada është vendosur në shenjë reagimi kundër marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit të arritur në Bruksel, ndërsa parashihen edhe barrikada tjera nëpër lokacione të ndryshme sipas nevojës.

Burimet më tej kanë shtuar se krerët ilegalë janë konsultuar rreth këtyre veprimeve mbrëmë në Zveçan deri në orët e vona të natës, ndërkohë që është marrë vendim për organizimin e një proteste masovike në veri të Mitrovicës për të hënën.

Vendosjen e barrikadës në magjistralen e Ibrit e ka konfirmuar për Kosovapress edhe zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti. (G.E/LajmeShqip.com)