Lajme Shqip Tuesday, 13 November 2012 17:06

BEOGRAD- Gjykata e Strasburgut e detyron Serbinë të fillojë t’i zgjidhë probleme të mëdha ende të pazgjidhura, ka thënë përfaqësuesi juridik i Serbisë para kësaj gjykate, Slavolub Caric.

Siç shkruan gazeta “Veçenje novosti”, një grup i problemeve ka të bëjë me pensionet e Kosovës, të cilat Serbia duhet t’i paguajë pas aktvendimit të plotfuqishëm në rastin Grudic (çift bashkëshortor nga Kosova me vendbanim në Novi Pazar, i cili kohë më parë ka fituar kontestin kundër shtetit të Serbisë).

Fjala është për borxhet ndaj pensionistëve të kombësisë shqiptare, por edhe serbe dhe boshnjake të cilat lindën pas vendosjes së protektoratit ndërkombëtar në Kosovë.

Ministria serbe e Punës dhe e Politikës Sociale ishte justifikuar se nuk kishte të dhëna mbi dokumentacionin e pensionistëve dhe se nuk kishte pagesa nga Kosova në Fondin e Sigurimit Pensional të Serbisë. Por, Gjykata evropiane ka arritur në përfundimin se pensionistët nuk janë fajtorë për këtë dhe se u është mohuar e drejta për pronën.

Sipas gazetës, kjo çështje me siguri do të zgjidhet në kuadër të bisedimeve Beograd- Prishtinë.

Problemi tjetër ka të bëjë me kursimet e vjetra që prek edhe shumë kursimtarë të Kosovës.(LajmeShqip.com)