Lajme Shqip Monday, 06 June 2011 17:34

Dibër – Georgo Maria Kastriota – Scanderbeg, stërnipi i Heroit Kombëtar Shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, e vizitoi të hënën qytetin e Dibrës, në veçanti ishte mysafir në Komunën e Dibrës, ku u prit nga kryetari Argëtim Fida.

Me këtë rast Georgo Maria Kastriota – Skanderbeg, tha se ka vendosur të vijë në qytetin e legjendarit të madh, Skënderbeut, te vendi i Skënderbeut. Ai tha se, edhe pse jeton në Napoli, në venat e tij rrjedhë gjak shqiptari.

“Kam ardhur te shtëpia ime, vend ku në vitin 1943, në Dibër, është vendosur shtatorja e  parë e Skënderbeut dhe, më pas, në vitin 2003. Nuk jam orator, nuk jam politikan, jam një person normal. Jam gjenerata e 14-të e familjes së Kastriotëve, jam shqiptar dhe krenohem që Ju, dibranë, e çmoni historinë e këtij njeriu të madh”, tha stërnipi i Skënderbeut para përfaqësuesve dibranë.

Kryetari i Komunës së Dibrës, Argëtim Fida, duke falënderuar prezencën e stërnipit të legjendarit, paraqiti në përgjithësi historinë e shtatores së parë të Skënderbeut, ku në një mëngjes të kobshëm të vitit 1960 shtatorja e parë është zhdukur dhe askush nuk din se ku gjendet deri në ditën e sotme.

“Por, Dibra nuk e la me kaq. Në vitin 2003 u ngrit në këmbë përsëri shtatorja e dytë e Skënderbeut, pra në saje të regjimit një kohë të gjatë mbeti pa shtatore, por dibranët me donacion të tyre e sollën përsëri në Dibër, andaj, edhe sheshi e ka emrin ‘Sheshi Skënderbe’”, potencoi kryetari Fida.

Ndërkaq Myftiu i Dibrës, Ruzhi Lata, u shpreh se jemi krenarë që jemi bij të Skënderbeut. “Gjaku na bashkon në këto male ku ka vepruar Skënderbeu, që ka ditur të komunikojë përmes ndezjes së zjarrit, është Dibra me vende përreth, si Krujën e Peshkopinë, ndaj edhe jo rastësisht Bageri thotë se Dibra është ‘Kërthiza e Shqipërisë’”, tha Lata.

Stërnipi Georgo Maria i dhuroi kryetarit Fida tre dokumente të rëndësishme. “Njëri ka të bëjë më pemën gjeografike që fillon me Gjergj Kastriot Skënderbeun, e që është i përbërë nga katërmbëdhjetë breza, dhe që  është dokument origjinal, që daton në Romë, më 13 shkurt 1910 dhe deri këtu me ne, ku mbaron trashëgimia direkte nga Skënderbeu”, tha ai.

Më pas kryetari i Komunës së Dibrës, Argëtim Fida, i dhuroi stërnipit të Heroit tonë Kombëtar një libër monografik të pushtetit vendor, ku janë të përfshira të gjithë projektet dhe pamjet e qytetit të Dibrës.