Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 14:57

Prishtinë – Shefi i ekipit negociator serb, Borisllav Stefanoviq, ka deklaruar të premten se rrethi i ardhshëm i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mbahet kah fundi i këtij muaji, në vend të datës 14 dhe 15 qershor, siç ishte përcaktuar më herët.
“Bashkërisht është arritur marrëveshja që më mirë takimi do të ishte kah fundi i qershorit, për të përgatitur më mirë elementet e marrëveshjes së segmentit përfundimtar”, ka thënë Stefanoviq për mediat serbe.

Rundi i ri i dialogut është dashur të mbahet më 14 dhe 15 qershor, por ai është shtyrë me kërkesë të palës serbe. Shefja e ekipit negociator të Kosovës, Edita Tahiri ka deklaruar se shtyrja e rundit të ri të dialogut është bërë për shkak se Serbia ka frikë nga nënshkrimi i marrëveshjeve për lirinë e lëvizjes dhe tregtisë, si dhe për çështje të energjetikës, telekomunikacionit, kthimit të dokumenteve të civilëve dhe kadastrës, fati i të pagjeturve dhe pranimi i diplomave.

Ndërkohë, Stefanoviq ka thënë se data e mbajtjes së rundit të ri të dialogut nuk është precizuar ende. Ai ka shfaqur shpresën se “së shpejti do të ketë rezultate konkrete”, por sipas tij nuk do të nënshkruhet kurrfarë marrëveshje.

“Nuk do të ketë nënshkrim të marrëveshjeve, pasi që me Kosovën nuk nënshkruhen marrëveshje, sepse ajo nuk është shtet”, ka thënë Stefanoviq.

Stefanoviq ka shtuar se Serbia nuk frikësohet nga kurrfarë marrëveshje dhe se, sipas tij, është Prishtina zyrtare “që duhet të frikësohet më shumë, për shkak të situatës së tyre të brendshme”.