Lajme Shqip e Mërkurë, 04 Korrik 2012 13:09

Tiranë - Gjatë fjalës së tij në takimin konsultativ për Planin e Veprimit, të zhvilluar në Ministrinë e Integrimit, ambasadori i BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi, përsëriti sërish apelin e tij për klasën politike shqiptare, për përmbushjen në kohë të rekomandimeve të BE-së, në mënyrë që vendi të marrë statusin kandidat.

“Komisioneri Fule e ka bërë të qartë se Shqipëria duhet të bëjë progres në reforma në mënyrë që Komisioni Europian ta rekomandojë atë për marrjen e statusit kandidat në muajin tetor. Plotësimi i reformave për zgjedhjet dhe mënyrën se si funksionon parlamenti mbeten jetësore. Në të njëjtën kohë nuk do të na bëjë të humbasim vëmendjen nga prioritetet e tjera.”- deklaroi Sequi.

Më tej, ambasadori i BE-së nënvizoi se një rekomandim pozitiv për marrjen e statusit kandidat është akoma i mundshëm, por sipas tij, koha për përmbushjen e prioriteteve është e shkurtër. 

“Vullneti politik është esencial që Shqipëria të ecë përpara. Ju mund ta kryeni këtë, ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim, por vendimet mund të merren vetëm nga Shqipëria. Tani duhet të lëvizni.”- u shpreh Sequi.

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, i ka bërë ftesë sot PS, për heqjen e imunitetit të zyrtarëve në këtë sesion parlamentar. “Ne jemi të gatshëm të votojmë çdo variant për imunitetin”, ka deklaruar Bregu.

Gjithashtu, gjatë Konferencës së prezantimit të planit për integrimin europian, Bregu raportoi mbi progreset e Shqipërisë në disa sektorë, nga ku nënvizoi se, pjesa më e madhe e prioriteteve janë zbatuar.

Sipas Bregut, Shqipëria ka arritur sukses në luftën kundër krimit të organizuar, në zbatimin e ligjit anti-mafia, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, çështjen e pronësisë. Ndërsa, një arritje tjetër sipas Bregut, është dhe ndërtimi e qendrës së paraburgimit në Elbasan. (LajmeShqip.com)