|
|
e Mërkurë, 10 Tetor 2012 15:28 TIRANË – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama reagoi të mërkurën në rrjetin social “Twitter”, pasi Komisioni Europian i rekomandoi Këshillit të Europës dhënies e statusit të kandidatit për Shqipërinë.
“Shqipëria kalon me kushte provimin e vjeshtës! Komisioni Europian vlerëson lart kontributin e opozitës për t`i dhënë vendit statusin e kandidatit”, shkruan Rama.
Sipas tij progres raporti i Komisionit Europian paraqet edhe shqetësimet e ngritura më herët nga opozita si mjerimi i shtetit të së drejtes dhe nevojën për zgjedhje të lira në 2013-n.
“Siç PS-ja ka thënë me kohë, vetë Komisioni Europian e konsideron zgjedhjen e Bujar Nishanit president si të njëanshme dhe pengesë për reformat!. E po kaq me rëndësi, Komisioni konfirmon shqetësimet e ngritura prej kohësh nga PS për ekonominë në krizë”, shkruan Rama.
Ai u shpreh gjithashtu se sot është një moment i rëndësishëm i vlerësimit të një përpjekje të mundimshme në opozitë, për të mos e lënë në baltë Shqipërinë.
“Jam i bindur se pas fitores në 2013-n do ta çlirojmë procesin e integrimit nga barra e politikës së vjetër në pushtet e do hapim një faqe të re” përfundon Rama.(LajmeShqip.com)