Lajme Shqip Wednesday, 22 July 2015 15:33

Policia e Kosovës ka mohuar raportimet e medieve se në luftën e Sirisë janë duke marrë pjesë 300 qytetarë të Kosovës

Në një sqarim për media të dërguar nga Zyra për Informim e PK-së, thuhet që gjatë raportimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Shpend Maxhuni në Komisionin e Kuvendit të Kosovës për Siguri, ky i fundit është keqinterpretuar. Më tej në sqarim thuhet se sipas të dhënave të policisë janë 100 qytetarë të Kosovës që po marrin pjesë në luftimet në Siri, ndërsa 300 persona mundë të kenë qenë të përfshirë që nga fillimi i këtij konflikti në vitin 2012, raporton Express

 “Pra, numri aktual i personave që dyshohet se marrin pjesë në luftën në Siri është rreth (100) persona dhe jo (300) siç raportohet apo keqinterpretohet nga disa mediume-portale, sepse ky numër prej 300 personave përfshin gjithë periudhën kohore, e jo periudhën aktuale”, thuhet në sqarimin e PK-së.

Sipas njoftimit, Policia e Kosovës që nga fillimi, respektivisht nga viti 2012, në vazhdimësi ka përcjellë dhe ka monitoruar zhvillimet në Kosovë, që ndërlidhen me aktivitetet apo lëvizjet e individëve të caktuar të cilët mund të kenë shkuar në Siri nga vendi ynë.