Lajme Shqip Tuesday, 21 July 2015 13:04

Gjykatat Speciale do t’i lë deputetë pa shkuar në pushim sipas rregullores së punës së kuvendit.

E gjitha kjo pasi që legjislativi duhet t’i përfundoi çështjet e jashtëzakonshme siç është themelimi i Gjykatës Speciale dhe çështjeve të tjera.

Këtë e ka konfirmuar këshilltari politik i kryeparlamentarit, Kadri Veseli, Driton Lajqi.

Ai tha se kuvendi duhet t’i përfundoi çështjet që janë me urgjencë siç është Gjykata Speciale, e pastaj të shkojnë në pushim.

“Kuvendi i Kosovës është duke e vazhduar punën e vet sipas agjendës së paraparë, sipas ritmit të paraparë. Meqenëse ka tema të cilat janë të jashtëzakonshme, të cilat po i përmendni ju, siç janë ndryshimet kushtetuese çoftë për themelimin e dhomave speciale apo ndonjë çështje tjetër e jashtëzakonshme, atëherë mund të rishqyrtohet koha e fillimit të pushimeve. Parlamenti i Kosovës nuk do të shkojë në pushim përderisa nuk i kryen obligimet e veta të cilat janë paraparë për sesionin pranverorë”, tha Lajqi.

Kurse, Teuta Haxhiu nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tha se end nuk kanë marrë njoftim nga kryesia e kuvendit për kohën e pushimeve.

“Konsiderojmë si Aleancë që kjo nuk është e drejtë. Për shkak se nuk është faji i deputetëve të ju merret pushimi. Por megjithatë marrja e pushimit ose mos dalja në pushim i shkon përshtati njerëzve të pa aftë për t’i kryer obligimet e veta dhe atyre që nuk kanë planifikuar drejtë. Mendoj që planet e tyre kanë dështuar këto po e tregojnë edhe në këtë rast sepse sikurse të kishin punuar mjaftueshëm dhe të kishin të punuar ashtu siç ish dashur të planifikohej drejtë normal se edhe ne nuk kishin dështuar”, tha Haxhiu.

Po ashtu, edhe Aida Dërguti nga Lëvizja Vetëvendosje për KosovaPress tha se nuk befasohet edhe me mos shkuarje në pushim, pasi siç tha ajo koalicioni i tashmë ka një agjendë të caktuar e që ajo është krijimi i asosacionit të komunave, Gjykata Speciale e të tjera.

“Nuk mund të lavdërohemi që ky kuvend ka bërë një punë të mrekullueshme. Ose së paku një punë solide çfarë ishte dashur të punoj deri më tani. Kështu që mund të ndodh edhe të shtyhet çështja e pushimit apo mos të bëhet. Pak a shumë dihet që edhe ky koalicion qeverisës është i iniciuar ose është shtyrë që të formohet me një agjendë të caktuar që ka të bëjë me Asosacionin e komunave serbe me Gjykatën Special dhe si duket këto janë prioritete e kësaj qeverie…Aspak nuk na befason nëse nuk shkohet në pushime dhe do të vazhdohet me procedimin çështjeve të cilat kanë mbet në gjysmë e që janë prioritet i kësaj qeverie”, tha Dërguti.

Ndërsa, Valdete Bajrami, shefe e grupit parlamentar nga “Nisma”, vlerëson se nuk do të duhej të ishte problem çështja e pushimit pasi mendon se mos arritja e zgjidhjeve politike nuk është e drejt të mbaj peng deputetët.

“Nuk e besoj që do të duhej të ishte problem kjo kur deri tash nuk kanë mund me arrit zgjidhje edhe të na mbajnë neve si deputet edhe për çështje të pushimeve. Mirëpo deri më tash nuk kemi një lajmërim nga ana e kryesisë se çka do të vendoset për këtë periudhë kohore”, tha Bajrami.

Ndryshe, kuvendi kishte dështuar të votoj ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. Ndërsa opozita nuk votoi fare. Kurse, shtatë deputet nga PDK votuan kundër, dy abstenuan, derisa dy të tjerë po të kësaj partie nuk morën pjesë fare.