Lajme Shqip Saturday, 25 July 2015 20:57

Në vazhdim hulumtimi për mashtrimin e institucioneve tona nga indianët që u paraqitën si biznesmenë, ndërsa kishin për qëllim që të kërkonin azil në BE realizuar nga RTK.

Erdhën nga India në Kosovë për t’i mashtruar institucionet vendore se janë investitorë. Edhe ia dolën. Mirëpo gjithçka nuk shkoi mbarë. 6 prej tyre përfunduan të arrestuar.

22 indianë, shumica prej tyre në moshë të re, në mesin e tyre edhe një fëmijë, më 1 korrik erdhën në Aeroportin e Prishtinës, përmes Odës Ekonomike Kosovë-Malajzi.

RTK mëson se fillimisht, indianët, përmes Odës Ekonomike Kosovë-Malajzi, kishin kërkuar viza nga Ambasada e Kosovës në Turqi, por kjo e fundit kishte refuzuar të lëshonte viza pa i intervistuar paraprakisht dhe pa e ditur qëllimin e saktë të hyrjes në Kosovë. E atë që nuk e bëri Ambasada në Turqi, e bëri Ambasada e Kosovës në Tiranë.

Ajo lëshoi vizat nga distanca për delegacionin indian. Mirëpo as kjo nuk u mjaftoi. Të ashtuquajturit investitorë nuk kishin arritur të niseshin në datën që morën vizat dhe erdhën në Kosovë vetëm dy ditë para se viza t’u skadonte.

Tani nevojitej një ndërhyrje e institucioneve të Kosovës për t’ua mundësuar vazhdimin e vizave. Këtë gjë, me vetëm një shkresë të dërguar nga Oda Ekonomike Kosovë-Malajzi, e bëri ministrja e Tregtisë, Hykmete Bajrami. Ajo përmes një shkrese zyrtare, i kërkoi ministrit të Brendshëm Skënder Hyseni, që indianëve t’u vazhdohej viza, me arsyetimin se po vinin në Kosovë për të investuar në fusha të ndryshme. Edhe Ministria e Brendshme, pa ndonjë verifikim të veçantë, bëri vazhdimin e vizave.

22 indianët hynë në Kosovë pa asnjë problem. Ata, madje zhvilluan takime të ndryshme me zyrtarë institucionesh, kinse të interesuar për të investuar në fusha të ndryshme në vendin tonë.

E këtu nuk mbaroi aventura e tyre. Ata prisnin të merrnin rrugën për në Serbi, për të shkuar më tutje drejt Evropës në formë ilegale. Mirëpo, e gjithë kjo u bë në formë institucionale. Disa edhe ia dolën ta lëshonin Kosovën, mirëpo 6 prej tyre u zunë nga Policia e Kosovës.

Në raportin e Policisë së Kosovës të cilin e ka siguruar RTK, thuhet se indianët kanë pranuar se kanë dhënë nga 10 mijë euro për të ardhur në Kosovë. Mirëpo ende nuk dihet se kujt ia kanë dhënë këto para.

Por për ta lëshuar Kosovën, ata do të duhej të jepnin edhe nga 1500 euro të tjera për person, për të hyrë në Serbi. E këto para kishin për t’ia dhënë shtetasit rom të Kosovës nga Graçanica, Ferdi Sali. Ky i fundit u arrestua bashkë me grupin prej 6 indianëve dhe në dëshminë para Policisë e pranoi se do t’i dërgonte këta indianë në Serbi.

“Unë Ferdi Sali konfirmoj se para dy muajsh jam njoftuar nga vëllai im Vedat Sali, i cili jeton në Gjermani, se do të vijë tek unë një shok i tij nga Gjermania, Gjesi Sink. Ai është babai i njërit nga emigrantët e Indisë i cili është në mesin e emigrantëve indianë dhe quhet Randip Sin. Gjesi Sink, babai i Randip Sink i ka thënë vëllait tim në Gjermani që djali i tij vjen në Prishtinë, përkatësisht Republikën e Kosovës. Të enjten, vëllai më ka thirrë nga Gjermania dhe më ka thënë që djali i shokut të tij, ka arritur në Prishtinë. Pas kësaj unë e kam kontaktuar shokun tim Nenadin, që ndryshe quhet edhe Shilla, dhe me këtë emër e kam të regjistruar edhe në telefon. Atë e kam pyetur çfarë lidhjesh ka që të dërgojë një emigrant nga India për në Serbi. I njëjti më ka dërguar mesazh që mund të shkojë përmes Mitrovicës për në Serbi përmes Suboticës për në Hungari…”, thuhet në dëshmi.

E dëshminë e Ferdi Saliut e vërtetojnë edhe sms-të e marrë nga telefoni i tij. Në këto sms, Ferdi Sali dhe një serb tjetër me emrin Nenad, planifikojnë trafikimin e indianëve për në Serbi.

“Thirre njërin dhe thuaji që nesër në orën 9:00 të mëngjesit le të jetë në stacion të trenit në Budapest e le t’i pret njerëzit. Ne në orën 7:00 në mbrëmje nisemi nga Mitrovica dhe menjëherë për Suboticë. Gjithçka osht e kryer” , thuhet në sms.

“Unë jam dëgjuar me shokun në Beograd, ai e ka rregulluar hotelin për 28 persona dhe nesër në mëngjes duhet të jenë atje. Edhe për bileta gjithçka është rregulluar. Të dielën udhëtojnë në 11 e 30 drejt në Dortmund”,thuhet në sms tjetër.

“Ferdi, eja këtu…shoku im ishte këtu dhe jemi zënë me të..thirrën nga Beogradi dhe unë fola me ta. Eja ta përfundojmë që mos të kemi probleme”, vazhdon sms-ja tjetër.

E pas këtyre hetimeve, radha u vjen organizatorëve. Drejtues të Odës Ekonomike Kosovë-Malajzi, e cila edhe kishte marrë përsipër sjelljen e këtyre të ashtuquajtur investitorë, arrestohen nga Policia e Kosovës. Arben Abrashi, kryetar dhe Përparim Kryeziu nënkryetar, vazhdojnë të mbahen në arrest shtëpiak deri në zbardhjen e rastit. Si OJQ e regjistruar në Ministri të administratës Publike, kjo Odë Ekonomike duket të jetë fiktive. Kjo për faktin se nuk ka një adresë të saktë se ku e zhvillon veprimtarinë.

Në rrugën Bill Klinton nuk është arritur të gjendet ndonjë zyrë në të cilën supozohet se e ushtron veprimtarinë Oda ekonomike Kosovë Malajzi. Sidoqoftë, kjo odë është e regjistruar pranë MAP-së, mirëpo me adresë, rruga Bill Klinton, p.n. Prishtinë. Madje RTK mëson se as hetuesit policorë nuk kanë arritur të gjejnë zyrën e kësaj OJQ-je.

Arrestimin e 6 shtetasve indianë, një shtetasi kosovar rom dhe dy shtetasve kosovarë, përfaqësues të Odës Kosovë-Malajzi e konfirmon edhe Policia e Kosovës.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë:

“Nga 22 persona që kanë qenë në territorin e Kosovës mund të them që 16 prej tyre brenda afatit kohor kanë dalë jashtë Kosovës, por 6 prej tyre kanë vazhduar të qëndrojnë në Kosovë edhe bazuar në validitetin e vizës që ata kanë pasur. Por këta 6 persona kanë tentuar që përmes rrugëve ilegale të pretendopjnë të kalojnë në rrugët e Evropës. Njësitet përkatëse i kanë ndaluar këtë 6 shtetas indianë që kanë qenë të shoqëruar nga një qytetar rom, si i dyshuar për qëllime të trafikimit të këtye shtetasve. Pas hetimeve të mëtutjeshme, janë arrestuar edhe 3 persona të tjerë si përfaqësues të Odës Malajziane dhe të njejtit janë dërguar para procedurave gjyqësore”

RTK ka tentuar të flasë me përfaqësuesit e Odës Kosovë-Malajzi, që gjenden në arrest shtëpiak, mirëpo ata nuk kanë pranuar të flasin rreth ngjarjes se si i sollën këta të ashtuquajtur investitorë në Kosovë.

Se janë mashtruar nga kjo OJQ, këtë e pranojnë hapur edhe institucionet e përfshira në këtë skandal.

Ministria e Jashtme, si institucion ku fillimisht i ishte dërguar kërkesa për viza, ka pranuar një kërkesë nga Oda Ekonomike Kosovë-Malajzi e ku kërkohej lëshimi i vizave në distancë. Në arsyetimin e dhënë thuhej se grupi nga India fillimisht kishte shprehur interesimin për të investuar në vende të tjera të Ballkanit, siç janë Mali i Zi e Serbia, por sipas organizatorëve, ata kishin arritur t’i bindnin indianët që të vijnë në Kosovë për të investuar në sektorë të ndryshëm siç janë: patundshmëri, Industri e filmit, Hotelieri dhe turizëm, mjekësi, trajnime në fushën e aviacionit, Minierave dhe energjisë, tekstil, metale e të tjera.

Në përgjigjet e Ministrisë së Jashtme rreth rastit në fjalë, thuhet se grupi në fjalë ka parashtruar kërkesë për vizë të Kosovës, duke bashkëngjitur edhe dokumentacionin që vërteton qëllimin e hyrjes dhe të qëndrimit në RKS dhe agjendën e takimeve me institucione të Kosovës (Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit). Sipas Ministrisë së Jashtme, ata kanë bërë verifikimet që kërkohen në bazë të ligjit për lëshimin e vizave. Ndërsa të pyetur nëse ky grup fillimisht kishte bërë kërkesë në ambasadën e Kosovës në Turqi për t’u pajisur me viza dhe refuzimit të kësaj ambasade për të lëshuar viza nga distanca, Ministria e Jashtme thotë se nuk është në dijeni për një gjë të tillë, ndërkohë që arsyeton lëshimin e vizave nga distanca në ambasadën e Kosovës në Tiranë.

“Organizatori i vizitës (nga Kosova) në emër të grupit në fjalë, ka bërë kërkesë për aplikim nga distanca për viza duke prezantuar agjendën e takimeve zyrtare dhe kjo kërkesë është miratuar nga MPJ, në bazë të udhëzimit administrativ për procedurat e aplikimit për vizë kosovare, por kjo nuk do të thotë assesi se ata nuk kane kaluar nëpër të gjithë procesin e verifikimit (në Polici dhe MPB) para dhënies së vizës, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Jashtme.”

Por pas pajisjes me viza, indianët nuk arritën të vinin në kohën e rregullt dhe tani kishin kërkesën tjetër. Vazhdimin e afatit të vizave. E në këtë çështje ndërhyri ministrja e Tregtisë, Hykmete Bajrami, e cila personalisht i ka dërguar shkresë ministrit të Brendshëm Hyseni, ku i kërkon që t’u vazhdohet afati i vizës indianëve, me arsyetimin se ata do të sillnin investime.

Në shkresën që ne kemi siguruar ndër të tjera ministrja Bajrami i falënderohet ministrit Hyseni për mbështetjen që po i jepet në përkrahjen e investitorëve. Mirëpo, pas zbulimit se ata nuk ishin investitorë, MTI arsyetohet se nuk e ka ditur se në fakt kanë qenë të mashtruar.

Vjollca Dibra, këshillëtare e ministres së Tregtisë, thotë:

“Ne fatkeqësisht e kemi kuptuar nga MPB që ky delegacion nuk i është përmbajtur obligimeve ligjore prandaj janë ndaluar nga Policia e Kosovës”

RTK: “ Sidoqoftë a keni qenë në dijeni nëse ekziston një odë Kosovë-Malajzi? A keni pasur më herët kontakte me këtë odë???

Dibra: “Të gjitha Odat Ekonomike kanë statut të Një OJQ-je dhe sigurisht regjistrimi i tyre bëhet në MAP. Neve na janë paraqitur si odë ekonomike Kosovë-Malajzi. Nuk ka qenë obligim i yni që të merremi me atë se a ekziston apo nuk ekziston. Prej se jemi që 6 muaj këtu, kjo ka qenë vizita e parë”

Madje, këshilltarja e ministres Bajrami, thotë se nëpër takime që janë zhvilluar me indianët, nuk është vërejtur që ata nuk janë investitorë.

Vjollca Dibra:”Ne kemi biseduar me KIJEC. Ata në vazhdën e takimeve të tyre nuk kanë mundur të kuptojnë diçka që lë vend për të dyshuar. Sepse kur ekziston gjithmonë një qëllim i mirë, nuk na ka shkuar mendja neve që ka mundësi të tilla. Nuk kemi pas kësi raste”.

E arsyetimin se përse i vazhduan vizat indianëve, e jep edhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Driton Gashi, sekretar permanent në MPB:

“Kur është kërkuar vazhdimi i vizës, kjo kërkesë është dërguar edhe te Policia e Kosovës…Në arsyetimin e tij thuhet se poseduesi i vizës nuk mund të hyjë në territor para vizës dhe nuk mund ta lëshojë pas skadimit të vizës….Por vazhdimi i vizës bëhet kur bartësi i vizës jep arsye serioze!?

Nëse kthehemi në retrospektivë, arsyet kanë qenë serioze dhe udhëzimi i parasheh 3 situata kur vazhdohet viza, e para arsye personale… e dyta që njeh është profesioni si në rastin në kuptimin se agjendën biznesore që e ke planifikua në Kosovë nuk mundësh me e kry brenda afatit kohor dhe arsyeja e tretë që parasheh udhëzimi është ndonjë krizë humanitare…

Në rastin konkret them që janë dhënë arsye profesionale për shkak të agjendës së ngjeshur në atë kohë të konsideruar si investitorë potencialë….”

Sipas sekretarit të MPB-së, kjo ministri nuk ka bërë ndonjë verifikim të veçantë kur është kërkuar vazhdimi i vizave, duke e konsideruar se verifikimet e nevojshme janë bërë me rastin lëshimit të vizave.

Edhe pse e pranojnë se ka qenë një mashtrim institucional, institucionet e Kosovës e konsiderojnë sukses që kanë arritur ta parandalojnë një trafikim të tillë, e të cilin e thonë hapur se ka qenë i organizuar mirë.

Driton Gashi, MPB:

“Padyshim se brenda procedurave ligjore, çdo herë është e mundur që të ketë edhe mashtrime. Këtë vërejtje e jep edhe agjencia për kufi të jashtëm të BE-së e cila ka evidentuar raste të tilla deri në 9800 raste brenda BE-së, sepse arsyetimi thotë se tashmë dokumentet personale janë në zhvillim e sipër dhe është shumë vështirë të falsifikohen. Andaj derisa është i pamundur të ndodhë falsifikimi institucional….”

Ndërkohë që Policia e Kosovës thotë se ky është rasti i parë që tentohet të bëhet trafikim nëpërmjet rrugëve institucionale.

RTK: A është ky rasti i parë që dyshohet në këtë formë të bëhet kontrabandimi me njerëz?

Baki Kelani, PK: “Në aspektin policor mund të themi se është rasti i parë që në këtë formë tentohet që njerëzit të hyjnë në mënyrë të përgatitur përmes dokumentacioneve dhe është sukses i Policisë së Kosovës që është arritur që të parandalohet që në rastin e parë Policia ka arritur të ndalojë”.

Por kush pritet ta marrë përgjegjësinë për një gjë të tillë?

Policia e Kosovës nuk e përjashton mundësinë që të ketë më shumë persona të përfshirë në këtë skandal. Madje burime të RTK-së brenda hetuesisë së Policisë bëjnë të ditur se janë ngritur disa pista dyshimi edhe për mundësinë e përfshirjes së ndonjë zyrtari qeveritar, mirëpo kjo çështje aktualisht ka kaluar në inteligjencë dhe ata po merren me rastin. Mësohet se i dyshuar në këtë rast është edhe një shtetas i Indisë i cili punon si këshilltar i jashtëm në Ministrinë e Arsimit dhe i cili vetë kishte dalë për t’i pritur indianët në aeroport. Ndërkohë që Prokuroria e shtetit nuk ka qenë e gatshme të flasë me arsyetimin se nuk dëshiron t’i dëmtojë hetimet.

E pas 20 ditësh qëndrimi në Kosovë, prej tyre një javë qëndruan në një hotel në Prishtinë të cilit në fund i mbetën borxh 2500 euro dhe dy javëve të qëndrimit në qendrën e mbajtjes për të huaj, grupi prej 6 indianëve të cilët erdhën si investitorë e që dolën të jenë viktima të trafikimit, u dëbuan të premten nga Kosova për në vendin e tyre të origjinës, përderisa të dyshuarit për sjelljen e tyre në Kosovë po mbahen në arrest shtëpiak. RTK ka arritur të filmojë dëbimin e këtyre indianëve të cilët pas vetes lanë misterin e një trafikimi të organizuar duke vënë në lajthitje institucionet e vendit.