Lajme Shqip Monday, 29 April 2013 12:17

Prishtinë – Gjykata Themelore e Prishtinës, e udhëhequr nga Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, ka shpallur sot fajtor urologun Lutfi Dervishin, me tetë vjet burgim e 10 000 euro, të birin Arban Dervishin, me shtatë vjet e tre muaj burgim e 2,500 euro, kurse Sokol Hajdinin me 3 vjet burgim. Islam Bytyqi dhe Sylejman Dulla janë dënuar me kusht, me nga një vit burgim.

Derisa Ilir Rrecaj, ish zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë, është liruar nga akuza e cila e rëndonte për shpërdorim të detyrës zyrtare. Kjo pasi gjykata vërtetoi që letra e cila është lëshuar nga ai nuk ka qenë licencë për klinikën “Medicus”, pos sipas gjykatës ajo letër ka qenë vetëm një korrespodencë rutinë dhe se Rrecaj nuk ka pas synime për përfitime materiale.

Gjithashtu Derivshit i është ndaluar ushtrimi I profesionit si urolog për plot 2 vite, kurse anesteziologut tjetër Sokol Hajdarit 1 vit. I akuzuari i shtatë, Driton Jilta, ishte raportuar se ka pranuar kohë më parë fajësinë për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim të paligjshëm të veprimtarisë mjekësore, por janë hedhur poshtë akuzat kundër tij, kanë thënë zyrtarë të EULEX-it.

Kjo pasi gjykata vlerësoi se në rrethana të paqarta për trupin gjykues, prokurori i rastit ka tërhequr veprat penale që ngarkonin mbi Jiltën, vepra për të cilat ai do të dënohej nga 1 e deri në 8 vite burg.

E pos të hollave me të cilat gjykata ka dënuar urologun Dervishi dhe të birin e tij, ka urdhëruar që këta të dy tija kompensojnë palëve të dëmtuara, gjithsej 7 dhuruesve të veshkave që gjatë kohës së gjykimit ishin dëshmitarë, nga 15 mijë euro për lëndime psikike që është ushtruar ndaj tyre. “Paratë duhet t’u kompensohen të lënduarve që kanë hyrë në klinikë me dy veshka e kanë dalë me nga një prej aty në afat kohor prej 6 muajsh”, ka urdhëruar trupi gjykues.

Pas aktvendimit gjykata ka dhënë edhe arsyet e saj se si ka ardhur deri tek vendimi i dënimit për secilin veç e veç. Këtë e ka bërë gjykatësi amerikan Den Peneles.

Peneles ka sqaruar gjithçka. Vështirësitë që prokuroria dhe trupi gjykues ka pas gjatë gjykimit të këtij rasti dhe mosmundësia e marrjes së shumë dëshmitarëve dhe të akuzuarve të tjerë në rastin “Medicus” për shkak të shumë rrethanave. Duke u nis nga vështirësitë që kishin me Moldavinë e Rusinë për shkak se këto dy shtete nuk e kanë njofto Kosovën, e deri tek mosmundësia e ekstradimit të Jusuf Somez si të akuzuar në këtë rast.

|Ka qenë e pamundur të marrim dëshmi nga disa persona siç është Jusuf Somez, pavarësisht se ai ka marrë pjesë në shumë operacione që kanë ndodh në këtë klinikë. Kjo edhe pse është ngritur padia e tij nga shteti turk prej nga ai e vjen dh shteti i Kosovës, por ai nuk është mundur të ekstradohet këtu”, ka thënë gjykatësi Penelez derisa ka lexuar arsyetimin e gjykatës.

Arsye të njëjtë ka dhënë edhe për të akuzuarin tjetër nga Turqia, Kenan Demirkoll. “Edhe ai ka marrë pjesë në disa operime. Por ai ka refuzuar rë jap dëshminë etij edhepse ndaj tij është ngritur aktakuzë”. Pothuajse e njëjta gjë sipas gjykatësit vlen edhe për dy doktorët e tjerë, Moshe Hareli dhe Juri Katrsman që të dy nga Izraeli. “Gjykata nuk ka mundur të marrë dëshminë e asnjërit nga këta”.

Po ashti sipas gjykatësit Peneles, prokurori dhe gjykata nuk kanë pas në bashkëpunim rreth letërthirrjes për dëshminë e Dick Martit. “Trupi gjykues është habitur nga përgjigja që ka marrë prej Këshillit Evropian. Atyre u është dhënë mundësia të dëshmojnë, Dick Marti dhe Këshilli Evropian janë fshehur pas perdes së imunitetit”, ka sqaruar gjykatësi.

Gjykata i është rikthyer dëshmive që ka marrë nga të dëmtuarit, në këtë rast 7 personave të cilët kanë dhuruar veshkat e tyre dhe gjithashtu atyre çfarë kanë thënë të akuzuarit gjatë gjithë seancave maratonike që kanë mbajtur për rastin “Medicus”. Ka dhënë arsyet e trupit gjykues një nga një. Megjithëse gjykata ka shpresuar në diçka.

“Shpresojmë që ky aktvendim dhe këto vite dënim nuk do të duken si akte qesharake tek ata persona që merren me këso lloj aktivitetesh. Kjo le të merret vetëm si një mësim për ata, se secili që punon jashtëligjshëm mund të dënohet”, është shprehur trupi gjykues.(LajmeShqip.com)

**************************************************

Prishtinë – Gjykata Themelore e Prishtinës do të marrë një vendim për të akuzuarit në rastin “Medicus”. Në një seancë e cila është paraparë të mbahet sot pasdite, mjekët dhe ish –zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë do të marrin vesh se çka do të ndodh me ata. Kjo pasi për të akuzuarit, trupi gjykues do të nxjerr aktvendimin.

“Sot në orën 14:00 është paraparë të mbahet seanca”, thënë Blerim Krasniqi, zëdhënësi i misionit të EULEX.

Për këtë rast janë ngritur dy aktakuza.

Të akuzuarit në aktakuzën e parë janë Lutfi Dervishi urolog, Driton Jilta kirurg, Ilir Rrecaj mjek dhe ish sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Sokol Hajdini specialist anesteziolog, Sylejman Dulla anesteziolog, Islam Bytyqi po ashtu anesteziolog dhe Arban Dervishi, i biri i mjekut Lutfi Dervishi.

Aktakuza e dytë ndërkaq e cila është ngritur më 10 qershor të vitit 2011 i ngarkon dy shtetas të huaj Yusuf Ercin Sonmez, shtetas turk, dhe Moshe Harel, shtetas izraelit. Ndonëse të akuzuar, që të dy gjenden jashtë vendit ndërsa për ta është lëshuar fletarrest ndërkombëtar.

Yusuf Ercin Sonmez, shtetas turk dhe Moshe Harel, shtetas izraelit janë të pandehurit në këtë aktakuzë e cila është ngritur në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Akuzat kundër Yusuf Ercin Sonmez përfshijnë trafikimin me njerëz, krimin e organizuar dhe ushtrimin e paligjshëm të veprimtarisë mjekësore. Moshe Harel është akuzuar për trafikim të personave dhe krim të organizuar. Veprat penale janë kryer në vitin 2008 në Klinikën “Medicus” në Prishtinë, ku janë përfshirë viktima nga vende të ndryshme.

Klinika, e cila u mbyll në vitin 2008 si pjesë e hetimit fillestar dhe sipas aktpadisë, 30 transplante të paligjshme veshkash janë bërë në klinikë.

Donatorët dyshohet se janë joshur për të ardhur në Kosovë me premtime të rreme se do t’u jepeshin deri në 15000 euro për veshkat. Të pandehurit e huaj, doktori turk, Yusuf Somnez, dhe Moshe Harel, një qytetar izraelit, po gjykohen në mungesë. Sipas aktpadisë, Sonmez u është nënshtruar disa procedurave penale në shtete të tjera, përfshirë Turqinë, për trafikim qeniesh njerëzore dhe marrje të paligjshme organesh.

Megjithëse akuza ndaj tyre u ndryshua në mars të këtij viti. Grupit të mjekëve kosovarë të dyshuar për trafikim organesh njerëzore nga e premtja i janë rënduar akuzat.

Prokurori i Rastit Medicus, Jonathan Ratel, para trupit gjykues në ambientet e Gjykatës Themelore të Prishtinës në seancën e së premtes, prezantoi aktakuzën e ndryshuar ndaj të pandehurve, duke e zgjeruar atë në disa pika. Përveç mjekut Driton Jilta që i janë hequr akuzat për krim të organizuar dhe trafikim me njerëz, ndërsa i kanë mbetur ushtrimi i paligjshëm i aktivitetit mjekësor dhe shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit.

Gjashtë të akuzuarve tjerë u janë zgjeruar akuzat. Sipas aktakuzës së ndryshuar për lëndim të rëndë trupor akuzohen mjeku-urolog Lutfi Dervishi, mjekët-anesteziologë Sokol Hajdini, Sylejman Dulla dhe Islam Bytyqi, së bashku me ekonomistin Arban Dervishin.

Lutfi e Arban Dervishi, babë e bir, akuzohen edhe për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve, derisa për falsifikim të dokumentit zyrtar është akuzuar Ilir Rrecaj ish-sekretari permanent i Ministrisë së Shëndetësisë në kohën e Alush Gashit.

Akuzat tjera kanë mbetur të pandryshuara. Për trafikim me njerëz në bashkëkryerje dhe krim të organizuar akuzohen Lutfi e Arban Dervishi dhe Sokol Hajdini. Lutfi Dervishi, Driton Jilta, Sokol Hajdini, Sylejman Dulla dhe Islam Bytyqi, të gjithë mjekë, akuzohen edhe për ushtrim të paligjshëm të aktivitetit mjekësor në bashkëkryerje, derisa për shpërdorim detyre dhe të autorizimeve ngarkohen Ilir Rrecaj dhe Driton Jilta.(LajmeShqip.com)