Lajme Shqip Monday, 22 July 2013 11:37

Tiranë – Disa orë nga fillimi i procesit të votimit për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike, nga shumë qarqe kanë ardhur denoncime se shumë anëtarë nuk kanë gjetur emrat e tyre në listat e zgjedhësve. Disa janë shprehur të indinjuar duke e quajtur si të qëllimshme.

Plot 105 mijë anëtarë të Partisë Demokratike, do të votojnë sot për të zgjedhur se kush do të jetë kryetari i ri i Partisë Demokratike pas dorëheqjes së Sali Berishës i cili 3 ditë pas zgjedhjeve të 23 qershorit pranoi humbjen dhe përgjegjësinë për humbjen e thellë të zgjedhjeve parlamentare.
Anëtarët e PD-së do të zgjedhin mes kryetarit të bashkisë Lulzim Basha dhe ministrit të Transporteve në detyrë Sokol Olldashi, dhe për herë të parë zgjedhja e kryetarit bëhet përmes parimit “një anëtar një votë”, raporton Shqiptarja.

Qendrat e Votimit zyrtarisht janë hapur nga ora 8 e mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19:00. Në disa qytete dhe në Tiranë procesi ka filluar normalisht por rreth orës 10: 20 shumë anëtarë në disa qytete deklarojnë se nuk gjejnë emrat në listat e PD-së.

Janë gjithsej 58 qendra votimi në të gjithë vendin për 39 degë të PD-së në rrethe.

I gjithë procesi do të udhëhiqet nga Komisioni zgjedhor, i ngritur pranë Partisë Demokratike, që përbëhet nga: kryetari Gjergj Lezhja, anëtarët Halit Shamata, Paulina Hoti, Gazmend Dibra, Bahrije Isufi, Arben Ibro, dhe Genti Minarolli. Ndërsa procesi i votimit do të asistohet nga dy anëtarët teknikë: Florian Xhuti dhe Albert Avduli. Çdo kandidat do të ketë nga një anëtar në komision.