|
|
e Hënë, 25 Qershor 2012 11:32 Hagë (PLOTESUAR 20:00)- Pas paraqitjes së dëshmive të prokurorit u erdhi radha shpalosjes së dëshmive të palës mbrojtëse.
Paraqitjen e dëshmive në këtë seancë e filloi avokati mbrojtës i Ramush Haradinajt, Emerson, i cili foli për dëshmitë e mbledhura nga qarqet serbe mbi të cilat ishte ngritur edhe aktakuza nga ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. “Ai shihej gjerësisht si një udhëheqës politik i shkëlqyeshëm, një person i cili mund ta bashkonte Kosovën, të siguronte mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar dhe që kishte shumë rëndësi, një person që ishte shumë i angazhuar për mbrojtjen e atyre minoriteteve serbe të cilët mbetën brenda kufijve të Kosovës. Si i tillë, ai përfaqësonte një kërcenim të fortë politik për Serbinë që në atë kohë ishte i angazhuar që ta pengonte Kosovën që të shkëputej dhe ta shpallte pavarësinë dhe të angazhohej në mënyrë të pa kompromis për të siguruar udhëheqjen e saj politike. Dihet gjerësisht dhe publikisht se zyrtarë serbë të rangjeve të larta bënin paraqitje në zyrën e prokurorisë përmes së cilave kërkonin që zotëri Haradinaj të procedohej”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se e gjithë ajo që e kishte mbledhur Serbia kundër Haradinajt ishte mbledhur nga UDB-ja, një organizatë kjo që dihet se cila ka qenë veprimtaria e saj.
Më pas avokati Emerson është fokusuar tek dy dëshmitarë, ai “81” dhe “X”, mbi të cilët ai tha se prokurori e kishte mbështetur të gjithë aktakuzën e tij. “Dëshmitari 81 erdhi në Hagë me dëshirën e tij, madje u duk sikur u shty të vinte këtu nga autoritetet serbe, një produkt tjetër i prokurorisë për t’u mbështetur në të dhënat e inteligjencës serbe për të vazhduar dhe për ta proceduar një kryeministër të zgjedhur demokratikisht në një Kosovë të pavarur të sapo krijuar. Dëshmia e tij ishte kaq e pandershme, kaq e fabrikuar, ku në çdo hollësi të saj sa ai shpenzoi pesë ditë duke u dredhur e përdredhur si një gjarpër. Ishte një performancë e frikshme, e neveritshme, për të gjithë ata që e shikuan atë në gjyq dhe jashtë gjyqit. Një dëshmitar kaq ngjitës me gënjeshtrat e tij sa njeriu e ndjente se duhet t’i lante duart gjatë pushimit kur ai po jepte dëshmi”, ka thënë ai.
Ai u shpreh i habitur se si prokuroria ka mundur që të mbështetet në një dëshmitar si ai më numrin “81”, dhe pastaj edhe ta quaj si dëshmitar kryesor të çështjes. Pas këtyre fjalëve reagoi prokuroria, duke i kërkuar trupit gjykues që mbrojtja të mos përdorë fjalë të tilla, por të vazhdojë më dëshminë dhe ta përfundojë atë. (LajmeShqip.com)
*************************************
Hagë (PLOTESUAR 18:15)- Prokurorët e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës kanë kërkuar që Ramush Haradinaj, ish kryeministër i Kosovës, të dënohet së paku me 20 vjet burgim, nën dyshimet për krime lufte.
Të njejtin dënim, prokurorët kanë kërkuar edhe për dy bashkëluftëtarët e zotit Haradinaj, Idriz Balajn dhe Lah Brahimajn.
“Dënimi më i vogël që duhet shqiptuar është 20 vjet burgim”, ka thënë prokurori Pol Roxhers, njofton agjencia e lajmeve AFP.
Mbrojtja ndërkaq ka kërkuar nga Tribunali, që kur ta shpallë zotin Haradinaj të pafajshëm në atë që njihet si rasti më i gjatë në historinë e këtij Tribunali, “të shpallë gjithashtu se ai është i pafajshëm jo vetëm pse prokuroria ka dështuar të provojë rastin, por se është i pafajshëmn në kuptimin e plotë të fjalës”.
Avokati i Haradinajt, Ben Emerson tha se jo çdo hero lufte është edhe kriminel lufte. “Haradinaj është njeri i ndershëm, që luftoi një luftë të ndershme”, tha Emerson.
Seancat përmbyllëse të procesit gjyqësor kundër ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj mbahen sot dhe nesër. (LajmeShqip.com)
******************************************
Hagë – Në Gjykatën e Hagës sot dhe nesër mbahet seanca përmbyllëse e procesit të pjesshëm gjyqësor ndaj ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy ish-bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, ku prokuroria dhe mbrojtja do të thonë fjalën përfundimtare, për t`i lënë kohën për rreth dy muaj trupit gjykues që të marrë vendimin përfundimtar për këtë rast.
Vendimi përfundimtar pritet të merret në fund të muajit gusht ose gjatë muajit shtator.
Ndryshe, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, iu bashkua përkohësisht familjes së tij më 10 maj, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare që ta lirojë përkohësisht atë.
Gjatë qëndrimit disa javor në Kosovë, Haradinaj shoqërohej nga Policia e Kosovës dhe forcat e EULEX-it, pasi gjykata e liroi atë nën kushte të rrepta, që nënkupton lëvizje të kufizuar dhe që të mos ketë asnjë përfshirje në veprimtari politike, apo paraqitje publike. (LajmeShqip.com)