Lajme Shqip Wednesday, 22 June 2011 17:17

Tiranë – Duke parë se me numërimin e kutive të të gjithë Tiranës sërish kandidati demokrat Lulzim Basha nuk po humb aspak terren ndaj Edi Ramës, me të paktën 70 vota avantazh, Partia Socialiste ka nxituar që të përgatisë një tjetër padi për KQZ-në dhe Kolegjin Zgjedhor.

Fakti është bërë publik nga deputeti socialist Fatmir Xhafaj, që është edhe sekretari ligjor i PS-së.

“Opozita nuk mund ta pranojë këtë proces që po zhvillohet në KQZ, pasi përbën certifikimin e manipulimeve, që filloi pas datës 14 maj dhe vazhdoi më tej me prodhimin e një rezultati të deformuar me hapjen e 117 kutive. Madje, pretendimet e socialistëve i konfirmoi edhe Kolegji Zgjedhor me vendimin më të fundit”, ka deklaruar deputeti Xhafa.

Në argumentimin e Xhafës thuhet më tej se “Keqadministrimi i procesit është bërë pas datës 18 në funksion të nevojës, të qëllimit për të ndryshuar rezultatin, për ta deformuar rezultatin në favor të Partisë Demokratike. Nuk ka rezultat sot që flasim, e ka rrëzuar Kolegji. Kolegji ka urdhëruar KQZ-në dhe i ka thënë bëj dhe këto veprime dhe bëj tabelë të re në përputhje me kërkesat e kodit zgjedhor, pra kjo do të thotë që procesi është në pikën e tij fillestare. KQZ do jetë i detyruar sipas këtij urdhërimi të Kolegjit që të miratojë një tabelë të re për njësinë 5 dhe natyrisht për rezultatin e Tiranës, në mënyrën se si është duke u administruar ky komision Qendror i Zgjedhjeve. Kjo është e papranueshme. Ajo që ka interes është fakti që palëve iu lind e drejta për ta kundërshtuar këtë tabelë. Ne nuk mund ta pranojmë se ky proces ka në themel manipulimin e 117 kutive“.