Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 15:26

Tiranë – Parlamenti Europian i ka kërkuar ndjesë ambasadores Halimi për skandalin me flamurin komunist, për të cilin kishte raportuar Portali LajmeShqip.com.

Drejtori i Protokollit të Parlamentit Europian, Francoi Brunagel, ka kërkuar ndjesë me anë të një letre drejtuar Ambasadores së Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian, Mimoza Halimi, për vendosjen e flamurit të gabuar të Shqipërisë gjatë Takimit të Komitetit të Stabilizim – Asociimit ndërmjet Parlamentit Europian dhe Republikës së Shqipërisë më 15 Qershor

Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Punëve të Jashmte, Brunagel shkruan se “në emrin tim dhe të Shërbimit të Protokollit të Parlamentit Europian, me sinqeritetin më të madh dëshiroj të kërkoj ndjesë për çdo ofendim ose shqetësim të shkaktuar nga gabimi i rëndë i vendosjes së flamurit të gabuar gjatë Takimit të Komitetit të Stabilizim – Asociimit ndërmjet Parlamentit Europian dhe Republikës së Shqipërisë më 15 Qershor”.

“Ne dëshirojmë të sigurojmë Shkëlqesinë Tuaj se nga ana  jonë nuk ka patur asnjë lloj qëllimi për fyerje me dashje dhe se vendosja e flamurit të gabuar ishte një gabim për të cilin ne ndjejme keqardhje”, thuhet në letër.

“Ne dëshirojmë të sigurojmë Shkëlqesinë Tuaj se në të gjitha takimet dhe pritjet e tjera të mëparshme të këtij lloji është vendosur flamuri i duhur dhe ne ju garantojmë se ky gabim i madh nuk do të përsëritet më”, vijon Brunagel.

“Si unë dhe Shërbimi i Protokollit të Parlamentit Europian dëshirojmë të përfitojmë nga ky rast për t’i ripërsëritur Shkëlqesisë Tuaj dhe Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, sigurimet e konsideratës tonë më të lartë”, përfundon letra e Drejtorit të Protokollit të Parlamentit Europian, Francoi Brunagel drejtuar Ambasadores së Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian, Mimoza Halimi.