Lajme Shqip Saturday, 18 August 2012 18:40

Tiranë – Flota Detare e Shqipërisë drejtohet tashmë si asnjëherë tjetër nga një ushtarak që specialitetin e tij ka forcat tokësore. Qemal Shkurti, para dy ditësh mbante gradën e Kolonelit, por brenda një dite mori gradën madhore Gjeneral Brigade nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ndërkohë që u emërua dhe komandant i Flotës Detare.

KKy emërim vjen në një kohë kur Flota do të ketë “pjesën e luanit” në përgatitjen e dokumenteve dhe hartave për negociatat me Greqinë në lidhje me kufirin detar mes dy vendeve. Këtë emërim, por edhe të gjithë procesin e përgatitjes së bisedimeve, e ka cilësuar jo serioz ish-komandanti i Flotës Detare, Kudret Çela.

Në nje prononcim per gazeten Shqip, kundëradmiral Çela deklaroi se “i gjithë procesi duhet të bëhet serioz kur të miratohet një ligj i ri për të gjithë kufirin, i cili duhet të parashikojë qartësisht identifikimin e të gjithë vijës kufitare tokësore dhe në këtë rast bregdetare dhe në bazë të tij do të duhet të zhvillohen bisedimet për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare. Po ç’të them në këtë moment, kur situata nuk është serioze, pasi në krye të Flotës Detare, emërohet një ushtarak i këmbësorisë”.

Marina shqiptare ka një traditë të gjatë, ndaj dhe ka kuadrot e saj, që si në arsimim ashtu dhe në grada janë të ndryshëm nga pjesa tjetër e Forcave të Armatosura. Kjo armë e ushtrisë, në çdo vend të botës është specifike, ndaj edhe elita e saj arsimohet dhe trajtohet në mënyrë të veçantë. Në Shqipëri, oficerët e Flotës Detare arsimohen në Shkollën e Lartë të Marinës në Vlorë, ndërsa gradat janë krejt të ndryshme me forcat tokësore dhe ato ajrore. Kështu, për shembull, gradat madhore të oficerëve të forcave tokësore dhe ajrore janë: Gjenerallejtënant, Gjeneralmajor dhe Gjeneralbrigade.

Ndërsa gradat madhore për oficerët e Marinës janë: Admiral, Nënadmiral, dhe Kundëradmiral. Por me dekretin e djeshëm të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, është prishur tradita, ndërkohë që burime nga Ministria e Mbrojtjes theksojnë se nuk ka shumë rëndësi profili i ushtarakut që drejton Flotën Detare, pasi drejtuesi i saj, edhe pse oficer këmbësor, do ta drejtojë atë në nivelin menaxherial e jo teknik. Gjithsesi për ish-komandantin situata nuk është aspak serioze, pasi kemi të bëjmë me një institucion mjaft të rëndësishëm për vendin dhe me traditë. “Kemi detarë të talentuar që do ta kryenin këtë rol shumë mirë”, thotë kundëradmirali, i cili citon Fan Nolin për të ilustruar situatën e sotme.

“Më lejoni t’i referohem një pjese të poezisë së famshme: Ti Halim që s’di këndim, je ministër për arsim”, theksoi ish-komandanti i Flotës Detare, Kudret Çela, në prononcimin e djeshëm për gazetën “Shqip”. Pak kohë më parë, kreu i Flotës Detare u bë një objekt përplasjeje ndërmjet ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, dhe Presidentit të Republikës, Bamir Topi, kur ishte ende në detyrë. Imami emëroi për komandant të Flotës Detare, Kapitenin e Parë, Ferdinand Kreshpani, pa e dërguar për dekretim te Presidenti i Republikës. Ky vendim u cilësua i parregullt nga Presidenca, e cila bëri të ditur se është shkelur Kushtetuta.

Pas korrespondencës me Presidencën, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, e anuloi vendimin e marrë. Por para se të ndodhte kjo, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, ka mbrojtur Imamin në emërim, pa e çuar për dekretim te Presidenti. “Ligji për të drejtën e komandimit, deri në gradën Kolonel, i jep të drejtën ministrit të Mbrojtjes për të bërë emërimin në detyrën e komandantit të Forcës Detare. Sot, kjo forcë nuk ka aktualisht një gjeneral”, deklaroi kreu i Shtabit të Përgjithshëm. Por realisht Flota Detare nuk ka gjeneral, por admiral.

Megjithatë justifikimi se Marina nuk ka oficer madhor nuk qëndron plotësisht, pasi edhe komandanti aktual, Qemal Shkurti, deri dy ditë më parë nuk kishte një gradë madhore, por mbante thjesht paletat e kolonelit. Por me një dekret të posaçëm të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, zoti Shkurti mori gradën Gjeneralbrigade. (LajmeShqip.com)