Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 19:15

Prishtinë – Pas publikimit të 12 faqeve të aktakuzës nga Portali Lajmeshqip.com, nën titullin “Të respektohen procedurat juridike”, Oda Ekonomike e Kosovës, ka nxituar mbrëmë, përmes një kumtese për media, të marrë në njëfarë forme në mbrojtje drejtuesit e Postë-Telekomit të Kosovës dhe ata të kompanive “Devolli Group” dhe “Dardafon”, pas publikimit në media të aktakuzës ndaj Shyqeri Haxhës dhe pronarëve të Devolli Group, për aferën Dardafon.

OEK-u, në kumtesë, në mënyrë sugjestive, kërkon nga mediat që të mos merren me çështje të drejtësisë dhe merr guximin që publikimet rreth këtij rasti t’i cilësojë si “shpallje e dënimit paraprak të dy kompanive ndër më të mëdhatë në vend, njëra në sektorin publik dhe tjetra në sektorin privat”. E ka fjalën për PTK-në dhe kompaninë “Devolli Group”.

Redaksia e portalit Lajmeshqip.com ka për mision publikimin original të dokumenteve dhe fakteve që posedon. Duke qenë e para prej mediave që, besnikërisht dokumentit orgjinal, i publikoi 12 faqet e aktakuzës, në përputhje të plotë me misionin dhe etikën e gazetarisë, e konsideron kumtesën e Odës Ekonomike të Kosovës si përpjekje të hapur për të ndërhyrë në mediat dhe fjalën e lirë.

OEK-u ka të drejtë dhe është punë e saj që të mbrojë biznesin, por nuk duhet kaluar kompetencat e saj, që të ndërhyjë në hapësirën e ndjeshme midis drejtësisë dhe cilitdo të dyshuar e, aq më shumë, të akuzuar nga nga drejtësia për korrupsion dhe krim të organizuar në vend.

OEK-u dhe askush tjetër, gjithashtu, nuk ka të drejtë të përpiqet të mbyllë gojën e medias së lirë. Shpalosja e së vërtetës dhe fjalës së lirë është synim i të gjithë neve si shoqëri e, po ashtu, edhe synim e mision edhe i portalit tonë, Lajmeshqip.com.

Si të tillë, konsiderojmë se ndërhyrja e OEK-ut me kumtesën e djeshme ka qenë e pavend dhe përpjekje që të neutralizojë të vërtetën për këtë faqe të krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend, që u shpalua dje me aktakuzën ndaj drejtuesve të PTK-së dhe të komapnisë “Devolli Group”, për skandalin Dardafon.

Portali Lajmeshqip.com do ta vazhdojë punën e tij për shpalimin e së vërtetës si mision, qoftë në Tiranë, Prishtinë apo Shkup dhe, i tillë, besojmë është dhe duhet të jetë misioni dhe përkushtimi i të gjitha mediave shqipe, kudo që ato veprojnë dhe në cilëndo formë që i publikojnë materialet e tyre.