Lajme Shqip Friday, 13 July 2012 19:10

Tiranë – Skandalet e Dhori Kules nuk kanë të sosur. Mania e tij për të abuzuar me fondet e Universitetit ka arritur deri aty sa të ‘gëlltisë’ dhe një kat të tërë tek Fakulteti i Mjekësisë. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar skandalin e radhës. Godina e lëndëve paraklinike duhet të ishte katër kate. Katër kate parashikohen në projekt, për katër kate janë dhënë dhe fondet, por KLSH ka zbuluar se godina në fjalë është ndërtuar vetëm me 3 kate.

Mungon pikërisht kati i nëndheshëm, pikërisht ai që kërkon më shumë fonde se një kat normal për tu ndërtuar. Në projekt ky kat do të shërbente për funksionimin e sistemit teknik për këtë institucion. Aty ishte parashikuar të vendosej kaldaja e sistemit të ngrohjes, pompat e ujit, gjeneratori elektrik, panelet elektrike si dhe panelet e mirëmbajtjes të këtyre sistemeve.

Aferat e Dhori Kules me këtë projekt nisën që në fazën e fillimit të tenderit. Sipas raportit të KLSH, shpallja e firmës fituese është bërë 19 ditë me vonesë nga marrja e vendimit të Komisionit, ndërkohë që sipas ligjit autoriteti kontraktor duhet të njoftojë brenda 5 ditësh nga data e zhvillimit të tenderit subjektet e skualifikuara në mënyrë që ata të ankohen po brenda afatit 5 ditor dhe që ankesa të merret në shqyrtim. (B.W)