Lajme Shqip Wednesday, 22 June 2011 16:27

Tiranë – Elsina Hidershaj, këngëtare me profesion, humbi jetën pasi i dashuri i saj kosovar, Aziz Kelmendi, e shtypi me makinë në dalje të një pub-i, ndërsa ajo i lutej të qëndronte me të.

Një ngjarje e rëndë që përfundoi sot, më 22 qershor, me një vendim akoma më të rëndë. Biznesmeni kosovar, pasi ka kaluar vetëm 8 muaj në qelitë e paraburgimit, është sot i lirë.

Gjykata e Tiranës e dënoi atë me 1.4 vit burg. Por, Kelmendi ka kryer 8 muaj burg dhe pjesa tjetër e dënimit i falet, sipas nenit 59 të kodit të procedurës penale, i cili llogarit kohën e qëndrimit në paraburgim dyfishin e qëndrimit në burg.

Vendimi i Gjykatës së Tiranës është dhënë sot, ndërkohë që vetë Kelmendi nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit në momentin e komunikimit të vendimit nga trupi gjyqësor.

Prokuroria e Tiranës kërkoi vetëm tre vjet heqje lirie për Kelmendin, të akuzuar për vrasjen e këngëtares Elsina Hidershaj, e njohur me emrin e artit “Emmy”.

Gjatë gjithë seancave gjyqësore, Kelmendi ka pretenduar se ngjarja ka qenë aksidentale. Ngjarja ka ndodhur më 27 shkurt të këtij viti pranë një lokali nate në Tiranë, kur me makinën e tij Kelmendi ka aksidentuar 21-vjeçaren Elsina Hidershaj, me të cilën ishte i lidhur, ndërsa e kishte ndihmuar edhe financiarisht të ecte në botën muzikore shqiptare.

Pavarësisht se të gjithë dëshmitarët folën për një aksident me dashje nga ana e Klemendit, ndërsa opinioni publik shqiptar u shokua nga kjo ngjarje, Gjykata e Tiranës me një të rënë të lapsit nuk është menduar dy herë për të dhënë një vendim i cili ia jep lirinë Kelmendit dhe vuajtjen e përjetshme Elsina Hidershajt, që ne të gjithë e njihnim si këngëtaren simpatike Emmy…