Lajme Shqip Friday, 24 June 2011 13:03

Prishtinë – Ministri i Jashtëm i Çekisë, Karel Shvarcenberg, në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, ka takuar sot kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçin dhe zëvendëskryeministren, Edita Tahiri. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrja Edita Tahiri i kanë kërkuar ministrit të Jashtëm çek mbështetjen e Çekisë për Kosovën në procesin e saj të integrimit në Bashkimin evropian.

Diplomati çek, në takimet e një dite më parë me presidenten dhe ministrin e punëve të jashtme të Kosovës, ka folur për gatishmërinë e shtetit çek për të mbështetur Kosovën dhe në përgjithësi vendet e Ballkanit perëndimor në rrugën e tyre aspiruese drejt familjes së BE-së.

Shvarcenberg ka thënë se Serbisë i duhet patjetër të plotësoj kriteret e Kopenhagës që janë kushtet bazë për hyrjen në BE, e një ndër to sipas tij është fqinjësia e mirë dhe zgjidhja e problemeve me fqinjët.

Gjithashtu ministri çek ka thënë se secilit vend aspirues i bëhet e qartë se nuk mund të vej veto apo të bllokoj anëtarësimin e ndonjë vendi në Bashkimin Evropian.

Më 1 korrik Çekia merr presidencën e radhës të Grupit të vendeve të Vishegradit. Në vigjilje të marrjes së këtij kryesimi, Ministri i Jashtëm i Çekisë ka shpalosur një pjesë të platformës diplomatike të këtij vendi, që është një impuls për përkrahjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt integrimit në BE. Gjatë kësaj vizite dyditëshe në Kosovë, ministri i jashtëm çek do të nënshkruaj edhe marrëveshjen e parë për riatdhesim me qeverinë e Kosovës, në kuadër të procesit të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.