Lajme Shqip Saturday, 31 March 2012 11:40

Tiranë (PLOTESUAR 12:20) Vrasësi dhe grabitësi serial Viktor Gushi u përball sot me trupin gjykues që i caktuan masën e sigurisë ‘arrest me burg’.

Seanca nisi me një fjalë pendese të autorit të 16 grabitjeve, 2 vrasjeve dhe 3 plagosjeve. “Jam i penduar, nuk e mendoja se do vija deri këtu”, ishin fjalet e Gushit.
Avokatja e Gushit, Vjollca Pustina theksoi se klienti i pranon akuzat dhe shpreh pendesë për veprimet e tij.

Në bazë të kërkesës së prokurores Lindida Ziguri, gjykata vlerësoi që Viktor Gushi të mbahet në arrest me burg deri në përfundim të procedurave hetimore dhe gjyqësore të tij.

Përgjatë ditës së djeshme, autorit të vrasjes së arkëtares Leonora Kaloci dhe argjendarit Rrapo Sinanaj i janë marrë kampione gjaku dhe urine, për t’i bërë analizat nga ku do të mësohet nëse ai është përdorues droge ose jo. Gjithashtu në kuadër të hetimeve intensive rreth kësaj çështje, prokuroria ka urdhëruar që grabitësi serial t’i nënshtrohet një ekspertize psikologjike, për të parë nëse ai vuan mënderisht dhe nëse është i ndërgjegjshëm për veprimet agresive që kryen.
Sipas hetimeve intensive të policisë rezulton se Gushi ka kryer 16 ngjarje të rënda kriminale në mënyrë sistematike, për periudhën 2008- 2012, ku mes tyre numërohen grabitjet e disa bankave.

*************************************

Tiranë (PLOTESUAR 12:30) Ndërsa kanë vërshuar kritikat mbi mënyrën se si u morr në pyetje, se si është filmuar Viktor Gushi e më pas shpërndarë materiali me të akuzuarin për disa grabitje e vrasje në Tiranë, një punonjës i policisë është larguar nga detyra.

Mësohet se një punonjës i njësisë operacionale, që ka filmuar të dyshuarin për vrasjen e arkëtares brenda në shtëpi duke u marrë në pyetje, është larguar nga detyra pasi dyshohet se i ka shitur tek ABC Neës pamjet filmike që u transmetuan si ekskluzive nga ky televizion.

Nga ana tjetër mësohet se uniformat blu të Tiranës kanë rikthyer Viktor Gushin pikërisht aty ku mori jetën e fundit. Dy furgona të policisë kanë shoqëruar të ndaluarin Viktor Gusho, pikërisht në mesditë, kohë kjo që përkon dhe me orarin e tentimit për grabitje tre ditë më parë në “NBG” Bank në sheshin “Shtraus”, tek zona e njohur me emrin `Xhamlliku`, në Tiranë.

Mësohet se ky hap i policisë është ndërmarrë për të rindërtuar të gjithë skenën e ngjarjes së asaj dite, ku i mori jetën arkëtares Leonora Kaloçi 45 vjeç dhe plagosi rojen e filialit të bankës, Skënder Elmazi, 50 vjeç. Po kështu burime nga policia bëjnë me dije se Gusho ka shpjeguar të gjitha detajet dhe lëvizjet e tij gjatë asaj dite.

***************************

Tiranë-Policia e Tiranës ka shpërndarë sot nëpër mediat shqiptare pamjet filmike të Viktor Gushit, personit qe akuzohet për 16 vepra kriminale, më e fundit tentativa për të grabitur bankën NBG ku mbeti e vrarë arkëtarja Eleonora Kaloçi.

Sipas policisë Gushi akuzohet për vjedhjen e disa filialeve të bankave dhe pikave të grumbullimit të parave në degët e Ujësjellësit dhe CEZ-it dhe të gjitha veprat kriminale janë të dokumentuara, të faktuara dhe të pranuara edhe nga vetë autori.

Video është regjistruar në shtëpinë e tij në momentin e sekuestrimit të armës dhe elementëve të tjerë të përdorura gjatë grabitjeve dhe vrasjeve në kryeqytet. Por policia e Tiranës me këtë video vërteton se ajo vetë ka shkelur ligjet, për shkak se Gushi është marrë në pyetje në ambjentet e shtëpisë së tij, pa praninë e një avokati, pa i bërë të ditur të drejtat dhe detyrimet që ka.

Ligji parashikon që të dyshuarit të merren në pyetje në ambjente te caktuara dhe në praninë e një përfaqësuesi ligjor për personin e dyshuar. Veç kësaj në video shihet mjaft qartë se Gushi ka patur fillimisht një veshje tjetër dhe më pas është ndërruar pasi policët e kanë detyruar të veshë rrobat e krimit, që në fakt përbëjnë provë materiale kundër tij dhe nuk mund të preken pa praninë e një eksperti të autorizuar.

Natyrisht arrestimi i Viktor Gushit përbën një sukses për policinë shqiptare duke qënë se bëhet fjalë për një person që akuzohet për  një sërë veprash penale, që kanë marrë jetë njerëzish dhe kanë sjellë mjaft pasoja të tjera të rënda për interesin publik. Por video e publikuar tregon edhe një herë shkeljet flagrante të policisë shqiptare dhe mungesën e profesionalizmit. Veç kësaj mos harrojmë se vetë policia deklaroi se Gushi e ka nisur akvitivitetin criminal që në 2008-ën dhe u deshën 4 vjet për ta kapuar atë. (LajmeShqip.com)