Lajme Shqip Wednesday, 15 June 2011 12:56

Tiranë – Gjykata e Tiranës ka shtyrë sot seancën e radhës për çështjen “Gërdeci”, me 29 të pandehur, në pjesën më të madhe, ish- funksionarë të lartë të ministrisë së mbrojtjes dhe ushtrisë.

Shkak për pezullimin e seancës së parashikuar për t’u zhvilluar sot, u bë mungesa në sallën e gjyqit e disa prej avokatëve të të pandehurve. Procesi për çështjen “Gërdeci”, i nisur kohë më parë, është shoqëruar nga ndërprerje të shpeshta, kryesisht për mungesë të përfaqësuesve të mbrojtjes në seancë.

Ndërkohë që, familjarët e viktimave të tragjedisë së 15 marsit 2008 në Gërdec kanë reaguar herë pas here ndaj zvarritjes së procesit.

“Kjo që po ndodh është që të tallesh me sistemin e drejtësisë”, tha pak ditë më parë, Zamira Durda, një nga familjaret e viktimave të tragjedisë në Gërdec, pas pezullimit të një seance për mungesë avokatësh.

Personat e marrë me cilësinë e të pandehurit në këtë proces, akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur në 15 mars të 2008 në fshatin Gërdec, Tiranë, kur si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në fabrikën e demontimit të municioneve luftarake, humbën jetën 26 persona, ndërsa u plagosën dhjetëra të tjerë.