Lajme Shqip Sunday, 12 June 2011 19:14

Prishtinë – Njihej gjithmonë si njeri besnik i Serbisë. Është shqiptar veç me emër. Ka jetuar në Gjakovë dhe deri në momentin e ikjes, bashkë me forcat serbe, ka qenë njeriu më famëkeq në sy të njerëzve. Ishte tmerr për shqiptarët, ashtu siç ishin edhe shumë kriminelë serbë në radhë të policisë okupatore serbe.

Ai quhet Muharrem Ibraj dhe ka lindur në Gjakovë, aty ku Serbia ka bërë disa nga krimet më të tmerrshme të luftës. Por, Muharremi nuk i ka parë. Në vend të kësaj, thotë se krimet i ka bërë UÇK-ja, prandaj ka shkuar në Hagë për ta mbrojtur kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

Kosovo News Network transmeton një raport të RTS (Radiotelevizionit të Serbisë), i cili sjellë rrëfimin e Ibrajt që “është krenar që ka dëshmuar në Hagë në favor të Millosheviqit, dhe këtë e ka bërë pa e fsheshur identitetin”.

Ai jeton tash në Serbi dhe thotë se “shqiptarët ia kanë kidnapuar e më pas vrarë djalin, tre vëllezërit dhe 2 nipër, si shenjë hakmarrjeje”.

“Shumë njerëz janë detyruar të gënjejnë. Unë nuk kam dashur të tradhtoj Serbinë. Kam lindur në Serbi, në Jugosllavi, dhe e kam thënë të vërtetën”, ka pohuar Ibraj.

Ai ishte pjesë e Policisë së Serbisë dhe tash jeton me një pension diku në Serbi. Thotë se e ka edhe një dëshirë. ‘Dua ta takoj sy më sy Haradinajn dhe t’ia them të gjitha që i ka bërë. Këtë dua ta bëj”, ka thënë me bindje Ibraj.

Muharrem Ibraj dhe familja e tij, nga njerëzit në Gjakovë njihen si “argatë” të përhershëm të regjimit kriminel të Millosheviqit.