Lajme Shqip Monday, 02 November 2015 16:54

Shqipëria mbetet kryesisht një vend origjine për trafikimin e grave dhe fëmijëve që i nënshtrohen shfrytëzimit për prostitucion.

Trafikimi i femrave dhe shfrytëzimi i tyre për prostitucion, është një veprimtari që vijon prej fillimit të vitit 1990 në vendin tonë. Shfrytëzimi i femrave për prostitucion brenda vendit vijon të mbetet në të njëjtat nivele shqetësuese, ku shumë viktima kryesisht femra (të rritura e të mitura) i nënshtrohen shfrytëzimit nga tutorët e tyre në hotele, motele, por edhe shtëpi të marra me qira.

Më tej, shumë vajza shqiptare shfrytëzohen për prostitucion në vendet e Bashkimit Europian, por edhe në shtetet fqinje. Ndërkohë, numrin më të lartë të vajzave të trafikuara, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e gjejmë sidomos në Belgjikë, Francë, Gjermani, Irlandë, Itali, Holandë, Zvicër dhe në Mbretërinë e Bashkuar (viktimat shpesh pranojnë oferta të rreme për punësim si kameriere, banakiere, kërcimtare apo këngëtare).

Po kështu, kohët e fundit trendi i vajzave të trafikuara është fokusuar në drejtim të Kosovës, Greqisë dhe Maqedonisë, duke u mashtruar për një vend punë më të mirë ose për një martesë në këto shtete dhe më pas përfundojnë në rrjetin e prostitucionit. Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme thekson se, për sa i përket emigracionit të paligjshëm, tendenca është për të fituar leje qëndrimi në vende të ndryshme të BE-së dhe SHBA-së. Për Ministrinë e Punëve të Brendshme, trafikimi i qenieve njerëzore është një fenomen global dhe si i tillë, as Shqipëria nuk mund të ketë imunitet nga ky aspekt. Trafiku i qenieve njerëzore zhvillohet përmes një rrjeti të gjerë individësh me precedent të shumtë kriminale dhe duke krijuar grupe të strukturuara në fushën e prostitucionit. Ndër elementet kryesorë që e ka kthyer Shqipërinë në vend origjine për trafikimin e qenieve njerëzore për gratë dhe fëmijët është varfëria dhe pamundësia për të punuar, arsimuar, si dhe mungesa e alternativave për të ardhmen, duke i bërë më të ekspozuar nga ndaj trafikimit për shfrytëzim prostitucioni.

Ja rrugët që përdoren për kalimin e kufirit për vajzat e “seksit”

Sipas Ministrisë së Brendshme janë 3 pikat e kalimit të kufirit që përdoren nga gratë dhe fëmijët për kalimin e tyre jashtë territorit shqiptar: 1 – Nga pika e kalimit kufitar, Qafë Prush, nëpërmjet kufirit tokësor Shqipëri – Gjakovë -Kosovë, legalisht me pasaportë. 2 – Nga pika e kalimit kufitar, Hani i Hotit, nëpërmjet kufirit tokësor Shqipëri – Mali i Zi- Serbi (Beograd), legalisht me pasaportë. 3 – Nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tiranë, nëpërmjet kufirit ajror Shqipëri-Slloveni-Itali, legalisht me pasaportë.