Lajme Shqip Sunday, 11 September 2011 11:17

Tiranë – Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë ka lëshuar një deklaratë, në përkujtim të 10-vjetorit të sulmeve terroriste në SHBA të 11 shtatorit 2001.

“Sot mbushen 10-vjet nga ngjarja tragjike e 11 shtatorit 2001, e cila shokoi mbarë botën, por, njëkohësisht, shënoi edhe një epokë të re në angazhimin në një koalicion të të gjithë popujve që kanë përqafuar parimet universale të lirisë kundër kërcënimit terrorist e paqes”, thuhet në deklaratë.

“Ne i qëndrojmë sot në krah popullit amerikan për të përkujtuar me dhimbje të thellë humbjen e rreth tre mijë qytetarëve të pafajshëm, mes të cilëve edhe bashkëkombës shqiptarë dhe i shprehim solidaritetin dhe mbështetjen tonë gjithë familjarëve që humbën njerëzit e tyre të dashur”, vijon deklarata..

Sipas MPJ, “kjo ngjarje e pashembullt ka lënë gjurmë të thella në historinë moderne. U sulmua vendi simbol i demokracisë. U sulmuan vlerat e botës së civilizuar, u kërcënua paqja dhe siguria ndërkombëtare”.

“Shqiptarët ndihen krenarë që ishin ndër të parët që dënuan fuqishëm këtë sulm barbar dhe iu bashkuan koalicionit ndërkombëtar anti-terrorizëm të udhëhequr nga SHBA.

Në këto 10 vite, ky koalicion ndihmoi popullin e Afganistanit të çlirohet nga tirania ekstremiste dhe, sot, po e ndihmon në rindërtimin e vendit”, theksohet në deklaratën e  MPJ.

“Në këtë ditë simbolike, të ngadhënjimit të paqes ndaj dhunës, konfirmojmë sërish vullnetin e palëkundur se Shqipëria do të vazhdojë të jetë në linjën e parë, në përmbushjen me përkushtim të angazhimeve të saj përkrah aleatëve dhe partnerëve të NATO-s, për të realizuar me sukses luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe garantimin e paqes dhe sigurisë në botë”, përfundon deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme, në përkujtim të 10-vjetorit të sulmeve terroriste në SHBA të 11 shtatorit 2001.