Lajme Shqip Thursday, 31 October 2013 11:16

Tiranë- Çdo banori të Republikës së Shqipërisë i takon një borxh prej 3.1 milionë lekësh të vjetra aktualisht. Në total, gjatë 9 muajve ky borxh është rritur me 5.3 për qind, për të arritur në nivelin e 872 miliardë lekëve ose 6.23 miliardë euro. Borxhi publik i Shqipërisë ka arritur në 6.23 miliardë euro ose 872 miliardë lekë. Në njoftimin e fundit të ministrisë së Financave për periudhën 9-mujore, bëhet e ditur se nga janari deri në fund të shtatorit borxhi i marrë nga shteti çdo ditë është rritur me 1.15 milionë euro mesatarisht. Shifra tregon se secilit qytetar të Republikës së Shqipërisë i takon aktualisht një detyrim financiar prej 3.1 milionë lekësh të vjetra.Borxhi publik pothuajse ka “ngrirë” në tremujorin e tretë të vitit, si përpjekje për të kufizuar pasojat e shpenzimeve tejet të larta të gjashtëmujorit të parë, duke u rritur me vetëm 300 milionë lekë nga fundi i gjashtëmujorit. Por, borxhi rezulton të jetë rritur 5.3% në nëntë muaj, ndërkohë që rritja e Prodhimit të Brendshëm ka qenë tri herë më e vogël, 1.7 për qind. Në krahasim me vitin 2011, borxhi ka rritje me rreth 711 milionë euro, ndërkohë që rezulton 28 për qind më i lartë se ai në fund të vitit 2009.

Duke qenë se PBB llogaritet në Aktin e fundit Normativ të buxhetit të shtetit në masën 1.355 miliardë lekë, raporti aktual borxh/PBB ka arritur në 64.36 për qind, pasi qeveria Berisha hoqi kufizimin për nivelin maksimal të borxhit. Por, në rast se merret për bazë vlerësimi fillestar i Fondit Monetar Ndërkombëtar lidhur me detyrime të prapambetura ndaj privatit në masën 55 miliardë lekë, borxhi total do të rezultonte rreth 927 miliardë lekë.