Lajme Shqip Thursday, 06 February 2014 16:47

Në Tiranë sot është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e turizmit në mes Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit të Republikës së Shqipërisë. Marrëveshjen në emër të delegacionit të Kosovës e nënshkroi  u.d. i  ministrit, Bernard Nikaj, kurse të Shqipërisë ministrja Eglantina Gjermeni. 

Në njoftimin për medie theksohet se kjo marrëveshje është shprehje e vullnetit të përbashkët mes dy qeverive, të Shqipërisë e të Kosovës,  pas deklaratës për Bashkëpunim dhe Partneritet Strategjik, të nënshkruar në Prizren, më 11 janar të këtij viti.    

Të dy palët vlerësuan si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin në fushën e turizmit, si një sektor potencial për zhvillimin e ekonomisë në të dy vendet. 

Për Ushtruesin e detyrës së ministrit të Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës, z. Nikaj,  kjo u hap rrugën vizitave të përbashkëta në destinacione turistike të të dyja shteteve, ku do të prezantohen së bashku me publikime dhe materiale promovuese të dy vendeve. “Kjo marrëveshje do të vendosë në një kornizë institucionale bashkëpunimin mes institucioneve tona, i cili shumë shpejt do të konkretizohet me projekte të përbashkëta. Së bashku jemi më të fortë”, – deklaroi Nikaj. 

“Synimi ynë kryesor është krijimi dhe zhvillimi i paketave të përbashkëta turistike, si e vetmja mundësi për të qenë konkurrues në tregun rajonal dhe më gjerë”, – deklaroi gjatë konferencës për shtyp ministrja Gjermeni. “Ne kërkojmë të zgjerojmë veprimtarinë e operatorëve turistikë të të dy vendeve dhe të shtojmë numrin e turistëve, duke iu siguruar kushte dhe standarde më të mira”, – u shpreh ministrja në konferencën për shtyp. 

Palët ranë dakord të punojnë bashkërisht për të rritur numrin e turistëve mes dy vendeve, duke siguruar praktika të thjeshta ndërkufitare përgjatë gjithë vitit, si dhe lëvizjen e vizitorëve  nga njëri shtet në tjetrin në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare. 

Një tjetër pikë me rëndësi për zbatimin me sukses të kësaj marrëveshjeje është trajnimi i stafeve të turizmit, shkëmbimi i të dhënave statistikore turistike si dhe shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira profesionale. 

Palët angazhohen për krijimin e tregut të përbashkët të turizmit në mes dy vendeve, që do të sjellë rritjen e investime në sektorin e turizmit. 

Diskutimet mes dy delegacioneve vazhduan në nivel teknik mes ekspertëve të dy ministrive.