Lajme Shqip Friday, 17 June 2011 13:08

Tiranë – Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland ripërsëriti sot apelin e tij drejtuar klasës politike shqiptare, për respektimin e vendimeve të institucioneve të drejtësisë, veçanërisht të Kolegjit Zgjedhor.

Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se, nëpërmjet një letre dërguar përfaqësueses së Përhershme të Shqipërisë në Këshillin e Europës, Ambasadores, Margharita Gega, Jagland sqaroi edhe një herë mesazhet e letrës së tij drejtuar kryeministrit, Sali Berisha.

“Dëshiroj t’i referohem bisedës time të djeshme me Ministrin Haxhinasto dhe të ripërsëris mesazhet kryesore të letrës time të datës 10 Qershor për Kryeministrin Berisha dhe konkretisht thirrjes për dialog politik, mbi bazën e respektimit të shtetit të së drejtës dhe parimeve demokratike”, shprehet zyrtari i lartë i KiE-së.

“Sigurisht që referimi ndaj shtetit të së drejtës nënkupton detyrimin e të gjitha palëve të interesuara për të respektuar vendimet e institucioneve të drejtësisë shqiptare dhe, në mënyrë të veçantë, të Kolegjit Zgjedhor për procedurat e apelimit në vijim”, deklaron Jagland.

Në përfundim të letrës drejtuar Përfaqësues së Përhershme të Shqipërisë pranë Këshillit të Europës, Thorbjon Jagland ripërsëriti qëndrimin e tij që “menjëherë pas përfundimit të procedurave të sipërpërmendura, t’i kërkojë Komisionit të Venecias opinionin e tij mbi çështjet e mbetura lidhur me sistemin zgjedhor në Shqipëri, me qëllim që në zgjedhjet e ardhshme të shmangen probleme të tilla të ngjashme”.