Lajme Shqip Wednesday, 22 June 2011 19:01

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha vlerësoi sot rëndësinë e lirisë së qarkullimit të mallrave dhe njerëzve mes Kosovës dhe Shqipërisë, veçanërisht për zhvillimin e vrullshëm ekonomik të të dyja vendeve, por edhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Zv/kryeministren, njëkohësisht ministre për Tregti dhe Industri të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila dhe delegacionin që e shoqëronte.

Zv/kryeministrja kosovare vlerësoi mbështetjen vazhdueshme që Shqipëria i jep Republikës së Kosovës.

Në takim u vlerësua se hapat e marra nga të dy vendet për krijimin e doganave të përbashkëta dhe heqjen e barrierave burokratike kanë bërë të mundur një rritje të eksporteve nga Shqipëria në Kosovë, në masën rreth 50 për qind, por edhe një rritje të ndjeshme të eksporteve të Kosovës drejt Shqipërisë.

Në këtë kontekst, u ra dakord për eliminimin sa më parë të të gjithë barrierave doganore e burokratike midis dy vendeve për të bërë të mundur liberalizimin e plotë të tregtisë e shkëmbimeve ekonomike.

Kjo do të sjellë intensifikimin e këtyre shkëmbimeve, rritjen e volumit të tregtisë, zhvillimin e mëtejshëm të ekonomive të të dy vendeve dhe një impakt të drejtpërdrejtë në interesin më të mirë ekonomik të qytetarëve të të gjithë vendeve të rajonit.

Për këtë qëllim do të adoptohen modelet më të mira të realizuara në mënyrë të suksesshme nga vende të Bashkimit Europian, për krijimin e një hapësire të qarkullimit të lirë mallrave e qytetarëve.

“Qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur që këtë hapësirë të lirisë së qarkullimit të mallrave e qytetarëve ta zgjerojë me të gjithë vendet fqinje e mike të rajonit, çka do të sjellë një epokë të re në bashkëpunimin ekonomik e të gjithanshëm të këtyre vendeve, si dhe do të forcojë miqësinë midis popujve të tyre”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Pas suksesit të Rrugës së Kombit, në takim u diskutua edhe nevoja që Shqipëria e Kosova të ndërtojnë infrastruktura të rëndësishme, si linja hekurudhore apo edhe të tjera, të cilat do të rrisin edhe më tej nivelin e shkëmbimeve mes dy vendeve.

Gjithashtu, u ra dakord që të dy vendet të gjejnë rrugët më të mira të bashkëpunimit në sektorin diplomatik, në veçanti duke ndarë kostot e misioneve diplomatike të të dyja vendeve të akredituara në vende të ndryshme.