Lajme Shqip Tuesday, 28 June 2011 13:48

Tiranë – Bashkimi Europian ka çelur një projekt prej 1.35 milionë euro për rritjen e kapaciteteve të administratës qendrore të Shqipërisë, me anë të të cilit ndihmon qeverinë shqiptare të përthithë siç duhet fondet e BE-së.

“Menaxhimi i decentralizuar i fondeve të BE do t’i bëjë autoritetet shqiptare përgjegjëse për prokurimin, programimin, nënshkrimin e kontratave, pagesat dhe për kontrollet financiare mbi paratë e taksapaguesve të BE-së, para që janë të dedikuara për zhvillimin e Shqipërisë”, thuhet në faqen e Delegacionit të BE-së në Shqipëri.

Projekti synon, veçanërisht, rritjen e kapaciteteve të autoriteteve shqiptare për të menaxhuar fondet në kuadër të Instrumentit të Para-aderimit, prej të cilit janë dhënë 275 milionë euro për periudhën 2007-2010.

Përgatitja për menaxhim të decentralizuar të fondeve IPA e mundëson Shqipërinë të përgatitet për të mbajtur me sukses një nga përgjegjësitë kryesore të anëtarësimit, menaxhimin e të ashtuquajturve Fonde Strukturore dhe të Kohezionit, fonde që vendet anëtare të BE-së marrin për të integruar më mirë rajonet e tyre më të varfra dhe për të zhvilluar infrastrukturën.

Gjatë ceremonisë së prezantimit, Luigi Brusa, i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, theksoi se “Shqipëria do të jetë në gjendje të përfitojë dhe më në fund, edhe të menaxhojë, fondet e të pesë komponentëve të Programit IPA vetëm pasi të ketë marrë statusin e vendit kandidat, dhe siç dihet shumë mirë nga Opinioni i Komisionit Evropian, duhet shumë punë që Shqipëria ta fitojë këtë status”.

Shqipëria do të jetë në gjendje të menaxhojë vetë fondet e BE-së, kur ngritja e strukturave përkatëse për menaxhimin e decentralizuar të jetë e plotë dhe ato të jenë funksionale. Vlerësimi i përgatitjes së Shqipërisë është i detajuar dhe i plotë, përfshin aktorë të ndryshëm, dhe fillon konkretisht me Raportin e Vlerësimit të Përputhshmërisë që pritet të kryhet shumë shpejt. Në fund, auditorët e Komisionit Evropian do të përcaktojnë nëse menaxhimi i fondeve të BE mund t’i besohet autoriteteve të vendit.