Lajme Shqip Tuesday, 27 October 2015 16:57

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka prezantuar programin e ri të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Këshillit të Evropës për periudhën 2015-2017.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme Odeta Barbullushi me këtë rast tha se dokumenti i ri i përshtatet fazës euro-integruese në të cilën ndodhet vendi.

Shqipëria shpreh angazhimin e plotë të saj për forcimin e bashkëpunimit me KE-në dhe koordinimit me institucionet e tjera të Bashkimit Evropian të përfshira në sfidat integruese me të cilat përballet sot vendi, tha Barbullushi.

“Vlerësojmë se dokumenti i ri i bashkëpunimit me Këshillin e Evropës është një instrument i qartë, strategjik, programues dhe sektorial, i cili mundëson në radhë të parë, një qasje gjithëpërfshirëse, si dhe fleksibilitet gjatë zbatimit të tij dhe kjo pasi aktivitetet dhe projektet, do të ndihmojnë në përmbushjen e angazhimeve, në kuadrin edhe të organizatave të tjera ndërkombëtare. Pikërisht kjo qasje sektoriale në fushat e mësipërme dhe fleksibiliteti që ofron dokumenti i ri i bashkëpunimit, i cili i përgjigjet prioriteteve politike dhe strategjike të vendit tonë për integrimin evropian, si dhe bazohet në vetë standardet e Këshillit të Evropës, rekomandimet e organeve monitoruese të saj si dhe eksperiencën pozitive të bashkëpunimit të mëparshëm dhe në vazhdim të Shqipërisë me Këshillin e Evropës,” tha Odeta Barbullushi.

Mes këtyre sfidave, zëvendësministrja e Jashtme përmendi reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, të drejtat e njeriut dhe lirinë e medias.

“Midis fushave prioritare të këtij dokumenti me rëndësi për vendin tonë do të përmendja zhvillimin e reformës në sistemin e drejtësisë, promovimin e të drejtave të njeriut, veçanërisht të grupeve vulnerabël, antidiskriminimin dhe përfshirje n sociale, luftën kundër korrupsionit, mirëqeverisjen dhe pjesëmarrjen demokratike si dhe lirinë e medias. Mbështetja dhe asistenca e ofruar nga Këshilli i Evropës do të asistojnë aspektet kryesore të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, për hapjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE. Nevojitet që kjo frymë të përkthehet me veprime konkrete edhe në marrëdhëniet e vendit tonë me Këshillin e Evropës,” tha Barbullushi./KP