Lajme Shqip Monday, 02 November 2015 12:03

Republika e Kosovës është në proces të anëtarësimit në UNESCO (Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë), dhe ka ndërmarrë një fushatë të dinjitetshme, duke pasur parasysh faktin se po përballet me një kundër-fushatë agresive nga shteti fqinj Serbia. Deri tani, kemi parë që Kosova ka kaluar sfidën e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për të përfshirë aplikimin në agjendën e saj, ndërsa sfida e radhës është në Konferencën e Përgjithshme.

Krahas anës formale diplomatike, kemi parë edhe një mbështetje të personaliteteve me ndikim botëror si Nobelisti Dr.Ferid Murad, Inva Mula, Rita Ora etj. Në përgjithësi Kosova po bënë një fushatë tejet pozitive duke nxjerr në pah nevojat dhe përfitimet reale nga anëtarësimi.

Në botë UNESCO gëzon një reputacion jashtëzakonisht të lartë, duke qenë shtëpia ku gërshetohen kultura, shkenca, edukimi, mjedisi dhe në këtë frymë, edhe Kosova po e kërkon vendin e vet, si një shtet i orientuar kah dija, kah ruajtja e vlerave dhe trashëgimia kulturore, nxitja e shkencës etj.

UNESCO ka qindra projekte dhe fushata përmes të cilave ndihmon edukimin/shkencën nëpër botë, dhe Kosova duke qenë anëtarë në të ardhmen do të mund të tërhiqte më shumë vëmendje dhe më shumë projekte, që për synim final kanë ngritjen e cilësisë së edukimit dhe shkencës në përgjithësi. Në këtë drejtim, duke qenë themelues dhe drejtues i një institucioni të arsimit të lartë, e di sa e nevojshme është të jesh pjesë e UNESCO-së, dhe të mund të përfitosh nga projektet që bënë kjo organizatë.

Fushata jonë

Institucioni që unë drejtoj është munduar sado pak të kontribuoj në fushatën pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Vite më parë UBT, u bë nikoqire e iniciativës për të themeluar ICOMOS Kosovën.

Një grup ekspertësh, staf dhe bashkëpunëtor lokal dhe ndërkombëtar të UBT-së duke përfshirë profesorë nga Universiteti Teknik i Vjenës dhe ICOMOS Austria kanë krijuar rrjetin lobues për anëtarësimin e Kosovës në ICOMOS (International Council of Monuments and Sites).1 Një ndihmë kryesore në këtë proces, po e jep në mënyrë të vazhduar, profesoresha e Universitetit Teknik të Vjenës, dr. Caroline Jäger-Klein.

ICOMOS është Organizatë Ndërkombëtare Jo-Qeveritare e cila shërben si Komisioni Teknik-Shkencor i ngarkuar me implementimin e Konventës Botërore të Trashëgimisë së UNESCO-s. ICOMOS është jashtëzakonisht e lidhur ngushtë me UNESCO-në, dhe njëherësh si OJQ botërore ka në vete 110 Komitete Nacionale, 28 Komitete Ndërkombëtare Shkencore dhe afro 9 mijë e 500 individë të angazhuar në 144 shtete të botës.

Përpjekja jonë për të qenë anëtarë me të drejta të plota, do të mund të bëhet realitet sapo Kosova të jetë anëtare e UNESCO, duke shuar kështu çdo pengesë që kemi pasur më herët për të arritur këtë qëllim. Së fundi i jemi bashkuar nismës së Institucioneve të Arsimit të Lartë për t’iu drejtuar me një letër Drejtoreshës së Përgjithshme të UNESCO-së dhe Komisionit të BE-së për Hulumtim, Shkencë dhe Inovacion, ku kërkojmë që aplikimi ynë të trajtohet në bazë të meritës dhe jo të betejës së paskrupulltë politike që po bënë Serbia.

Kosova në UNESCO është për përfitimet që do të ketë vendi ynë në sferën e edukimit, shkencës dhe kulturës si dhe kontributit që do të japim në pasurimin e mëtejshëm të UNESCO-s, me vlerat tona, trashëgiminë kulturore-historike, larminë dhe harmoninë fetare. Kosova në UNESCO nuk është asgjë më shumë as më pak se sa bashkimi i një populli me kulturë të vjetër, me histori të pasur, në mesin e popujve të botës të cilat tashmë janë anëtare të kësaj organizate.

Për fund, uroj që në Konferencën e Përgjithshme që fillon këtë javë në Paris, të triumfojë logjika e paqes dhe e bashkëpunimit dhe jo thirrjet për konflikte mes civilizimeve.

Prof.Dr.Edmond Hajrizi,

Rektor i UBT