Lajme Shqip Friday, 25 November 2011 16:47

Tiranë – Shoqata Kombëtare e Jetimëve të Shqipërisë festoj sot, në Tiranë, 20 vjetorin e krijimit të saj.

Kadri Aliaj, kreu i kësaj shoqate në fjalën e tij, vlerësoi punën e kryer nga pjestarët gjatë aktivitetit të shoqatës. “Kjo shoqatë lindi si dëshirë e jona, për të qenë pranë fëmijëve jetim”, theksoi Aliaj.

Sipas tij, gjatë këtyre 20 viteve, kemi qenë pranë qindra fëmijëve jetim. Kemi qenë prindër, motër e vëlla për ta.

“Ne me punën tonë, kemi ndihmuar të rinj e të reja të integrohen në shoqëri dhe të jenë të barabartë mes të barabartëve”, nënvizoi kreu i kësaj Shoqata i cili, në vijim të ceremonisë, mori edhe përgëzime nga pjesëtarët dhe kolegët e tij në shoqatë, si dhe një certifikatë mirënjohje me motivacionin “20 vite, punë të shkëlqyer e të palodhur për të çuar përpara misionin e shoqatës”.

Aliaj, në mbyllje të aktivitetit, ftoj të gjithë investitorët të mbështesin shoqatën në misionin e saj, pasi sipas tij “të jesh pranë jetimeve, të bën të jesh një hap më afër zotit”.

Shoqata në fjalë, u krijua dhe u miratua nga Ministria e Arsimit me qëllim mbrojtjen e të drejtave të Jetimëve të Shqipërisë kudo që janë dhe integrimi i tyre në jetë, si dhe ka një program pune të qartë në fushën: juridike, humanitare, ekonomike, arsimore e sportive etj.

Shoqata Kombëtare e Jetimëve të Shqipërisë mbulon dhe punon për dy lloje grupe jetimësh: Grupi i parë i Jetimëve janë ata që dalin nga Institucionet shtetërore dhe grupi i dytë janë ata fëmijë që u ka vdekur një prind dhe mbahen nga prindi tjetër ose nga persona të tjerë të familjes.