Lajme Shqip Saturday, 04 June 2011 12:59

Shkup – Uzurpimi i Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT), nga funksionarë dhe militantë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), ka qenë pjesë e marrëveshjes midis kësaj partie dhe VMRO-DPMNE-së.

Kjo bëhet e ditur nga letra e ambasadorit amerikan Filip Riker, dërguar Uashingtonit që së fundmi e nxori në dritë Wikileaks, ndërsa u publikuan në dy portalet më me ndikim në Belgjikë, Euroaktiv dhe Eubserver.

“Marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërshqiptare edhe më tej janë të tensionuara. Por, VMRO dhe BDI kohë më parë bënë ndarje praktike të fuqisë, që për BDI-në nënkupton pjesëmarrje më tw theksuar në bisedimet për emrin, marrëveshje që të merren parasysh edhe kërkesat e tyre për përfaqësim në ligjin e reviduar për policinë dhe t’i lejohet BDI-së që të marrw kontrollin mbi USHT”, thuhet në dokumentin e publikuar nga Wikileaks.

Në një paragraf tjetër përshkruhet edhe aksioni i ndërhyrjes së BDI-së në USHT, me urdhër të ministrit të atëhershëm të Arsimit, Pero Stojanovski, që ambasadori Riker në letrën e tij e cilëson si demonstrim të forcës.

“BDI bëri demonstrim të forcës personale më 2 korrik, me urdhër të ministrit të Arsimit, Milorad Stojanovski, bashkëpunëtorët hynë në USHT dhe e nxorën rektorin Agim Vela dhe të gjithë Senatin e Universitetit (prorektorët dhe dekanët)”, shkruan në paragrafin 11.

Universiteti Shtetëror i Tetovës, thuhet më tej në dokument, ka qenë gjithnjë organizatë problematike, me një histori të universitetit ilegal me fillim në vitin 1994. “Pasi u bë Universitet Shtetëror, 10 vite më vonë, vlerësohet si mbretëri e partisë shqiptare e cila është në qeveri. Shumë maqedonas dhe shqiptarë na tregojnë se shumë shpesh Universiteti i Tetovës është kaotik dhe vetëm edhe një universitet i dobët shtetëror. Përpjekjet e BDI-së që ta bindë opinionin se aksionet e tyre janë legjitime, janë shterpe”, thuhet në dokument.

Wikileaks publikoi ditë më parë edhe një dokument tjetër, bisedë midis ambasadorit të SHBA-ve Filip Riker dhe kreut të BDI-së, Ali Ahmeti. Ky i fundit kishte shfaqur frikë nga kryeministri Gruevski dhe kushëriri e tij Sasho Mijallkov, drejtor i kundërzbulimit duke thënë se kanë pushtet absolut në vend. Ahmeti, gjithashtu, ka thënë se Mijallkov përbuzë kuadrat shqiptarë nga radhët e BDI-së në mbledhjet e Qeverisë.