Lajme Shqip Monday, 08 August 2011 21:10

Shkup – Tri figurat shqiptare Pjetër Bogdani, Jusuf Bageri dhe Nexhat Agolli do të jenë gati për vitin e ardhshëm. Kjo vjen si kërkesë e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) për vendosjen e këtyre tre skulpturave, të cilat janë pjesë e projektit “Shkupi 2014”.

Skulptorët Lindita Beqiri, Muamer Sadiku dhe Ismet Ramiqeviq kanë nënshkruar kontratat me Komunën qendër dhe pas gjashtë muajve ata duhet t’i kenë gati punimet e tyre. Më pas vjen derdhja në bronz të cilën duhet ta kryejë fonderia që do të fitojë konkursin që do ta shpallë më pas Komuna Qendër. Skulptura e Jusuf Bagerit, një nga figurat më të ndritura të Rilindjes Kombëtare shqiptare do të punohet në Gostivar nga skulptorët Muamer Sadiku dhe Bashkim Mexhiti, që të dy profesorë të Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT).

Skulptorët Muamer Sadiku dhe Bashkim Mexhiti kanë punuar skulpturën e Fadil Nimanit, komandant Tigrit që gjendet në Vaksincë, vepër kjo që u vlerësua lartë. Pjetër Bogdani, figura më e shquar e letërsisë së vjetër shqiptare do të punohet nga çifti, Lindita dhe Nehat Beqiri. Bogdani ka gjasa të punohet në Tetovë pasi edhe aty jetojnë artistët Beqiri.

Ndërsa Nexhat Agolli, nënkryetar i qeverisë së parë do të punohet nga skulptori Ismet Ramiqeviq, profesor në Akademinë e Arteve në Shkup. Skulptura e Agollit do të punohet në Shkup.

Çdo skulpturë do të jetë e lartë 5 metra dhe kushton nga rreth 70 mijë euro. Është paraparë që Pjetër Bogdani të vendoset në parkun “Zhena-borec”, Josif Bageri, para teatrit të Vjetër, ndërsa Nexhat Agolli pranë Goce Dellçevit. (LajmeShqip.com)